Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, është liruar nga burgu pas vendimit të fundit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO). Bistri, i arrestuar dy vite më parë në kuadër të operacionit “Metamorfoza” me urdhër të SPAK, u shpall fajtor vetëm për veprën penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, ndërsa për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave u shpall i pafajshëm për mungesë provash.
GJKKO vendosi gjithashtu që dënimi me 3 vite burg të ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke e çuar në 2 vite. Duke qenë se masa e sigurisë e vuajtur është më e madhe se dënimi final, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.
Gjykata rrëzoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e mbi 1 milion eurove dhe disa apartamenteve e njësive tregtare, duke i rikthyer ato në pronësi të Bistrit dhe familjarëve të tij.
Ndërkohë, gjykata dha dënime më të ashpra për të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshirë Behar Brajoviqin, Edmond Prekën, Astmer Bilalin dhe Xhevahir Liten, të cilët u dënuan për vepra të rënda si sigurimi i kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje, korrupsion dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vendimi i GJKKO mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

