“Ndërgjegjie pa gjuhë s’ka. Po edhe gjuhë pa ndërgjegje prapë s’ka”, Wundt

Nga Branko Merxhani

Nuk jemi nga ata që në bisedimin shkencor të parimeve sociologjike e marrin gjuhën si të vetmin element të nacionalistes. Bile disa sociologë, sidomos frëngj, e mohojnë krejt imponimin nacionalist dhe radhën e parë të elementit gjuhësor. Në një librë sociologjie, që mësohet në normalet frënge, ka edhe këto fraza: “Ndjenja patriotike e Francës rron hapët edhe jashtë, edhe brenda në zemrat thellë. Po nuk flasin të gjithë frëngjisht. Disa flasin gjuhë baske, disa gjuhën betone, disa gjuhën flamande, disa edhe gjuhën gjermane. Gjuha e bashkëtë zhvillohet brenda Kombit dhe për kombin. Gjuha nuk vjen më parë nga Kombi, dhe as që është ajo që e bën, e formon, e krijon Kombin”. (Hesse et Gleyze, “Notions de Sociologie”, fq 164). Dhe me të vërtetë shumë herë ngjan që elementi gjuhësor të mos ketë asnjë influencë dhe lidhje me synthezën nacionaliste të një populli. Bie fjala, kroatët e sotmë, megjithë që gjuha i bashkon me Serbët, nuk lënë asnjë rast, asnjë sakrificë, që të ndahen nga Shteti Kombëtar i Sërbëvet. Ashtu edhe banorët e Bavierës me gjithë që flasin gjermanisht, e ndajnë fort vetëhen e tyre nga populli i Prussisë.

Po, me gjithë këto mendime e kundërshtime, që i zhvillon fare mirë e me njohje të thellë sociologu frëng Johannet s’mundet askush të mohojë se gjuha është një nga elementet më të rëndësishme e më të gjalla të qënies nacionaliste e kulturave të një populli. Bile për neve shqiptarët, populli i mbetur prapa shekuj me radhë dhe i shkatërruar historikisht, gjuha është mbase, një nga bazat më të nevojshme e më të forta të qenies s’onë kombëtare. Një pjesë e tokës atërore jashtë zaptimit të të huajve, vetëm e vetëm për hirë të foljes amtare të një tok grave, i priti me një “T’u ngjat’jeta!” frëngjtë kur erdhën që të caktojnë karakterin kombëtar të vendit.

Bashkimi dhe ringjallja e popujve në shekullin XIX u realizua vetëm për hir të bashkimit të tyre gjuhësor. Bashkimi kombëtar i Italianëve u rrit bashkë me literaturën e Risorgimento-s. Në Sërbi, Çekoslovaki dhe Irlandi, poetët, shkrimtarët dhe intelektualët kanë qenë ata që përtëritën gjuhën dhe literaturën kombëtare dhe me anë të kësaj përpjekjeje gjuhësore mundën të sgjuajnë në bashkatdhetarët e tyre ndërgjegjen e qënies kombëtare dhe të bashkimit kombëtar.

Po më tepër nga të gjithë popujt e tjerë të botës, ne shqiptarët jemi ai popull që ka si bazë të veçantë dhe, mbase, të vetme të bashkimit të tij kombëtar GJUHËN. Këtë gjë nuk do të mënojmë që ta kuptojmë po të gjyrmojmë mirë-mirë dhe pa prapamendim, pa subjektivistë anti-shkencore e çarlatanismë, elementet e synthezës s’onë kombëtare dhe burimet e rilindjes kombëtare. Në krah të përçarjes sonë sentimentale, në krah të përçarjes s’onë fetare, që sjell të gjitha rjedhjet e këqia të një jete familjare të tharë, gjuha, vetëm gjuha është ajo që na lidh e na bashkon dhe na shtyn në hidhërimin ose gëzimin e një fati të bashkët.

Sot-për-sot populli shqiptar paraqit pamjen dhe karakterin e një QËNIEJE GJUHËSORE. Populli shqiptar përbëhet nga një tok njerës që flasin një gjuhë të bashkëtë. Për këtë, thelbi i vetëm i të gjitha veprimeve t’ona shoqërore përgjithësisht është gjuha jonë. Që të zhvillojmë theoritë fetare, juridike, politike, ekonomike dhe shkencore rreth jetës shoqërore të popullit t’onë, s’kemi tjetër ndihmë, tjetër shpresë, përveç gjuhës. Ndër neve çdo farë veprim shoqëror, çdo fitim i ri me vlerë mendore, nuk çfaq asgjë tjetër përveç dhënies rëndësi gjuhës, i vetmi element që na bashkon sot-për-sot. Gjuha është trualli i jetës s’onë shoqërore, stofa e estetikës s’onë dhe themeli kaq i kulturës sa edhe i qytetërimit t’onë.

Publikoi: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *