Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë për shqyrtim në seancë plenare çështjen e ngritur nga Kryeministri, i cili kundërshtoi vendimet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që çuan në pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Me shumicë votash, anëtarët e Kushtetueses vendosën të pezullojnë efektet e përkohshme të vendimeve të GJKKO-së, duke bërë që Balluku të rikthehet në detyrë deri në shpalljen e vendimit përfundimtar. Ky vendim i përkohshëm krijon mundësi për vazhdimin e ushtrimit të funksioneve të saj, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në nivel kushtetues.
Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese thirri si palë të interesuara SPAK-un, GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës, duke i konsideruar institucionet kyçe në vlerësimin e konfliktit të pretenduar mes pushteteve dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të mëparshme.
Ndërkohë, kërkesat e dy organizatave që synonin të bëheshin pjesë e procesit u rrëzuan nga Gjykata, e cila vendosi se ato nuk përmbushnin kriteret për të marrë statusin e palës së interesuar.
Seanca plenare, ku do të shqyrtohet në themel ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e vendimeve të GJKKO-së, është planifikuar të mbahet më 22 janar 2026, në orën 10:00. Vendimi përfundimtar i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në definimin e kufijve të kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe institucioneve të drejtësisë së re.

