Gjyqtari Asim Vokshi ka reaguar pas raportimit të Top Channel se kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk ka informuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) lidhur me një dokument që aludon për përfshirjen e Vokshit si informator apo agjent të shërbimeve të inteligjencës. Në një deklaratë publike në rrjetet sociale, Vokshi ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “fake news” dhe “shpifje të qëllimshme”.

“Kam heshtur deri tani, sepse besoj fort tek procedurat ligjore dhe korrektësia institucionale. Por kjo e sotmja përbën një lajm fals, haluçinant dhe përbaltës, që nxjerr në pah interesa malinje kundër procesit korrekt të ndjekur,” shkruan ai ndër të tjera.

Vokshi theksoi se çdo hap i ndjekur në garën për Gjykatën Kushtetuese ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi. Ai deklaroi se është “i tronditur” nga lajmi dhe paralajmëroi se do të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të tij profesional.

Ndërkohë, Top Channel ka sqaruar se raportimi është bazuar në dokumente zyrtare dhe burime të verifikuara pranë institucioneve, duke theksuar se informacioni është trajtuar me kujdes dhe në përputhje me standardet e verifikimit gazetaresk. Sipas televizionit, çështja lidhet me transparencën e procesit të përzgjedhjes për Gjykatën Kushtetuese dhe jo me çështje personale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *