“Gjyshi im, ndjesë pastë, që e thërrisja baba Selë, në takimin e fundit, para se të vdiste (isha student në Zagreb) atëherë kur e dinim që të dy se nuk do të kishte më takim tjetër, më tha; “Askujt mos ia nxirr revolen nëse nuk e ke ndër mend t’ia shkrepësh në lule të ballit”.
Pastaj u ndamë përgjithmonë.
Nuk mbaja revole dhe “nuk ia nxora askujt”, – ndonëse e merituan shumë veta.
Gjatë kohës, më ra ndërmend se amaneti i tij e nënkuptonte edhe sintagmën: “Fole fjalën vetëm atëherë kur je në gjendje ta mbashë”. Kësaj iu përmbajta. I përmbahem edhe sot.
Poashtu nuk do të dëshiroja që të ngarkohet biri im me detyrat që do të duhej t’i kryeja vetë. Ai do të ngarkohet me detyrat e kohës së tij. Për këto shkaqe, sidomos për shkak se nuk e di se a do të mund ta çoja kërcënimin në vend, por edhe sepse nuk e di se a do të mund “t’ia shkrepja” ndokujt “mu në lule të ballit” nuk kërcënoj.
Përkundrazi, lutem të mos detyrohem ta provoj një gjë të këtillë me ata që nuk i dua.
Mirëpo amanetet, sidomos ai i gjyshit, ta rëndojnë shpirtin.”
Ukshin Hoti – “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”.