Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike në zonën e Fushë-Krujës. Operacioni policor ka çuar në arrestimin e disa personave, mes të cilëve edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Të ndaluarit janë identifikuar si Marvin Genci Bushati, Agim Nina (i njohur edhe si Lorenc Izet Selmani), Sokol Myslym Qaja, Gazmir Xhemali Rraja, Perparim Kadri Rraja dhe Rexhep Rraja. Ata akuzohen për trafikim të drogës në bashkëpunim dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Rexhep Rraja është një emër i njohur për publikun për shkak të përfshirjes në disa episode të dhunshme. Ai është filmuar në vitin 2023 teksa godiste me shkop bejsbolli kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, në një konflikt ku u përfshinë edhe persona të tjerë të familjes Rraja.

Gjithashtu, ai ka qenë i përfshirë në çështjen e dhunës ndaj të dashurës së tij, Xhisiela Maloku, rast që u bë mjaft i komentuar pas denoncimeve të oficerit Emiljano Nuhu, i cili pretendoi se ishte kërcënuar për të mbyllur dosjen.

Operacioni i sotëm pritet të hedhë dritë mbi aktivitetin e rrjetit kriminal dhe rolin e secilit prej të arrestuarve. Autoritetet po vijojnë hetimet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *