Leibnizi goditi mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo rridhte nga greqishtja ose latinishtja. Ai besonte se shqipja ishte ilirishte.
Gottfried Wilhelm Leibniz, matematikan dhe filozof gjerman, gjuhëtar, albanolog u lind më 1 korrik 1646. Leibniz, ndonjëherë i quajtur gjeniu i fundit universal, shpiku të paktën dy gjëra që janë thelbësore për botën moderne: kalkuluset dhe arithmetikën binare, duke hedhur bazat e matematikës moderne dhe shkencës kompjuterike (arithmetika binare është bazë për thuajse të gjithë komjuterat e sotëm). Gottfried Wilhelm Leibniz, gjuhëtar, ishte i pari që përcaktoi se gjuhët semite si hebraishtja dhe arabishtja dhe gjuhët Finno-Ugric si finlandishtja dhe hungarishtja, nuk i përkisnin të njëjtës familje gjuhësore, si shumica e gjuhëve të Evropës…
Në 10 vitet e fundit të jetës, një nga përkushtimet e tij u bë gjuha shqipe, duke hapur shtegun për studimet albanologjike; fillimisht, Leibnizi spastroi mendimet e turbullta, duke rrëzuar mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo se rridhte nga greqishtja ose latinishtja. Ai shprehu bindjen se shqipja ishte ilirishte, dhe kishte lidhje me gjermanishten, dhe këtë ngjashmëri e kërkoi në keltishten e lashtë.
Vlera e ideve të Leibnizit qëndron edhe në faktin se si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vëmendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marrë me studime në fushë të shqipes. Ky interesim i Leibnizit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Leibniz shkroi kryesisht frëngjisht e latinisht, dhe pak gjermanisht.
Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pa botuara, dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESKO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi Çmimin Leibniz, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1-milionë e 550-mijë euro për rezultate praktike dhe 770-mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë për arritje shkencore./ Hejza