Autoritetet greke kanë marrë një vendim të paprecedentë, duke shpallur gazetarin investigativ Artan Hoxha “non grata” dhe duke i ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Greqisë për një periudhë të pacaktuar. Sipas autoriteteve, Hoxha përbën një rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të vendit.
Incidenti ndodhi dje, kur Hoxha po udhëtonte drejt Janinës dhe u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës. Gazetarit iu komunikua vendimi në sportelin e policisë kufitare, ndërkohë që pasaporta e tij u mbajt për rreth një orë.
Sipas dokumentit të dorëzuar nga policia greke, Hoxha konsiderohet:
- Person i padëshirueshëm;
- Rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të Bashkimit Europian.
Ky është një rast i përsëritur ndaj gazetarëve shqiptarë që denoncojnë aktivitete të paligjshme në shtetin grek ose që ekspozojnë çështje me interes kombëtar për Shqipërinë. Një vendim i ngjashëm ishte marrë më parë ndaj gazetarit Marin Mema të Top Channel.
Edhe pse anëtare e Bashkimit Europian, Greqia duket se vazhdon politikën e kufizimit të hyrjes për gazetarët shqiptarë që, sipas saj, dëmtojnë interesat kombëtare greke.

