Qeveria autonome e Groenlandës ka ndërmarrë një hap të paprecedentë në politikën e saj të jashtme, duke kërkuar për herë të parë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa praninë e Danimarkës. Lëvizja ka shkaktuar tensione diplomatike mes Kopenhagenit dhe Uashingtonit, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin politik të ishullit arktik.

Ky zhvillim shihet si tregues i parë konkret se strategjia e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të dobësuar kontrollin tre-shekullor danez mbi Groenlandën po jep efektet e saj. Synimi për ta shkëputur gradualisht Nuuk-un nga ndikimi i Kopenhagenit duket se po fiton terren në diskursin politik lokal.

Të pesë partitë politike të përfaqësuara në parlamentin e Groenlandës dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksuan qartë aspiratat e tyre për identitet dhe sovranitet politik.

“Nuk duam të jemi as amerikanë, as danezë. Duam të jemi groenlandezë”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, qëndrimi më i drejtpërdrejtë erdhi nga ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, e cila sfidoi hapur Danimarkën, duke ngritur publikisht pyetjen:

“Çfarë do të kishte të keqe nëse do të takoheshim me Shtetet e Bashkuara vetëm?”

Deklarata e saj shihet si një sinjal i qartë se Groenlanda po kërkon më shumë autonomi në vendimmarrjen ndërkombëtare dhe po teston kufijtë e marrëdhënies së saj me Danimarkën, e cila zyrtarisht mbetet përgjegjëse për politikën e jashtme dhe mbrojtjen e territorit.

Kërkesa për negociata kokë më kokë me Uashingtonin hap një kapitull të ri në raportet ndërkombëtare të Groenlandës dhe ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e statusit të saj politik, në një kohë kur interesat strategjike dhe gjeopolitike për Arktikun janë më të larta se kurrë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *