Deputeti i PDK, Përparim Gruda, ka deklaruar se nëse sot nuk zgjidhet presidenti i ri i Kosovë, vendi automatikisht do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Afatet kushtetuese ekzistojnë për një qëllim. Në drejtësi themi se kur humbet një afat, humbet edhe një drejtë. Nesër Presidentja është e lirë të thërrasë partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve,” tha Gruda për KALLXO.com, duke theksuar se e drejta e Kuvendit për të zgjedhur presidentin konsumohet sot në orën 00:00.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, gjithashtu deklaroi se “nëse sot nuk arrihet marrëveshje politike, shkojmë në zgjedhje të reja.”
Sot është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por ende nuk është thirrur seanca, pasi deri tani ka vetëm një kandidat zyrtar, Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Për të thirrur seancën, kërkohet edhe një kandidat i dytë, i cili ende nuk është propozuar nga asnjë subjekt politik, përfshirë edhe LVV që ka në dispozicion 30 nënshkrime të deputetëve.

