Mançester Siti rihapi garën për titull kampion në Angli pasi mori një fitore 1-3 në transfertë ndaj Arsenalit. Djemtë e Pep Guardiolës mposhtën rivalët për titull me golat e De Brujn, Grilish dhe të zakonshmit Haland. Të vetmin gol për Arsenalin e realizoi Saka me penallti.
Fitorja e ngjit Mançester Sitin në vendin e parë në kuotën e 51 pikëve, aq sa Arsenali, por qytetarët kanë golavorazh më të mirë. Duhet kujtuar se Arsenali ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Tekniku i qytetarëve, Pep Guardiola vlerësoi të besuarit e tij për paraqitjen ndaj Arsenalit duke theksuar se nëse sfida nuk fitohej, çështja e titullit mund të quhej e mbyllur.
“Nuk është kurrë e lehtë të luash kundër tyre, janë një skuadër shumë e mirë. Diferencën e bëri cilësia e djemve të mi. Nëse do të kishim humbur kundër tyre gara për titull do ishte mbyllur.”- u shpreh Guardiola.