Nga Ermal Mulosmani

Mbrëmë ishte një nga intervistat më të mira të kryeministrit Edi Rama në Opinion. Dhe merita për këtë është e atyre që më së paku pritej: spektatorëve pensionistë të Opinionit!

Pasi kryeministri sqaroi me detaje arritjet e qeverisë dhe i krahasoi ato me të shumëlargëtin 2013, disa gjëra dolën të qarta:

1) Numri i kontribuesve (pra i të punësuarve në moshë 15-65 vjeç që paguajnë sigurime shoqërore ) është rritur nga 510,000 në 810 mijë, pra +300 mijë kontribues;

2) Paratë e grumbulluara nga skema janë shtuar nga 361 milionë Euro në 1 miliard e 222 milionë Euro, pra janë trefishuar;

3) Numri i pensionistëve nga viti 2013 është rritur nga 570 mijë në 705 mijë;

4) Pensioni mesatar në vitin 2013 ka qenë 101 Euro ndërsa në vitin 2023 është 183 Euro.

Pas kësaj panorame të detajuar, me burime nga FMN, Kryeministri priste mirëkuptimin e pensionistëve duke shtuar se nëse shton pjesën buxhetore në skemë shteti përfundon më keq se Sudja pastaj.

Duhet thënë që Kryeministri përdori disa hile në statistikat e veta. Truku i përdorur ishte euro, monedha më e zhvlerësuar në kohë që nga 2013-a. Pra, nëse 361 milionë eurot e 2013-ës i kthejmë në lekë të atëhershme, kanë qenë rreth 50,5 miliardë lekë, ndërsa po t’i kthejmë në lekë 1,222 miliardë eurot e skemës së sotme bëjnë 119 miliardë lekë. Pra, afërsisht 1 me 2 jo 1 me 3 sa e tha kryeministri. 

Pensioni mesatar 101 euro në 2013-n ka qenë afërsisht 14,500 lekë ndërsa 183 eurot e sotme janë 17,900. Pra rritja mujore në 11 vjet është vetëm 3,400 lekë ose +23%. Jo +81% sa ç’thoshte kryeministri.

Megjithatë rritja e numrit të kontribuesve dhe e parave të tyre në skemë ka qenë për lavdërim. E kisha edhe një status për këtë gjë para ca ditësh. Ajo që nuk është rritur fare është kontributi buxhetor në skemë. Dhe kryeminsitri thotë që po të rritet ky kontribut (që sipas tij është rreth 500 milionë euro) ne bëhemi piramidë si Sudja. Në fakt 500 milionë euro është rreth 6% e Buxhetit të Shtetit dhe do të vijë çdo vit e duke u ulur. Kryeministri tha që i vetmi burim rritjeje është detyrimi i kontribuesve për të paguar aq sa u takon dhe jo aq sa paguajnë, pra të luftojnë evazionin.

Pasi e sqaroi mjaftueshëm mirë këtë skemë, pasi e kallajisi mirë ndryshkun e hallit të të moshuarve, Fevziu i jep fjalën një spektatoreje pensioniste e cila bën një pyetje aspak mirëkuptuese ndaj halleve të qeverisë dhe kryeminsitrit: “Unë kam pension 200mijë lekë (të vjetra sigurisht). Më thuaj si të jetoj me to të lutem”.

Këtu kryeministri u nervozua. Ç’është ky popull që nuk e kupton edhe kur ia shpjegon me detaje?! A e kuptojnë këta maskarenj që edhe ai indeksimi i vogël vjetor, është 100 milion Euro për buxhetin e shtetit?!  (Në fakt, pak më vonë dha një shifër tjetër: në 11 vjet indeksimet ishin 204 milionë Euro ose mesatarisht 20 milionë Euro/vit. Por kjo kaloi pa vëmendje. Plus fakti manipulativ i kthimit të lekut në euro.

Aty filloi shkumëzimi, ironia, qortimi kryeministror. Spektatorët, njëri pas tjetrit, ia nxorën kallajin. Njëra i tha që kam pensionin 95 mijë lekë. Kryeministri e sqaroi që taksat (pra buxheti) nuk është për të moshuarit. 

“Taksat -tha ai- janë për fëmijët, nuk janë për të moshuarit. Taksat janë për të investuar për shkolla, për çerdhet, për kopshtet, për të gjitha gjërat… Sa më shumë të marrësh nga taksat aq më shumë godet ata, aq më shumë godet ata, godet vendin, godet zhvillimin. Prandaj duhet një balancë, nuk mund të merren nga taksat e të futen të pensionet sepse vdes shoqëria, komplet, nuk merr dot frymë. Përveçse hyn në ato tmerret financiare (Sudet). 

Këtu ndërhyn një tjetër gjynafqare pensioniste: “Çfarë do bësh me pensionet”…

Kryeminsitri i shpjegon se pensionistët duhet t’i mbajnë fëmijët. Pensionistja e shkretë tund kokën nga marazi, kryeministri nervozohet dhe ia vë në dukje. 

Ishte një situatë tjetër kjo nga mirëkuptimi social që Kryeministri gjen sa herë ua komunikon shifrat e veta patronazhistëve pensionistë të përzgjedhur që bëjnë hosanara në takime elektorale. 

 Për të dalur nga situata nervoze e mosmirëkuptimit, kryeministri zgjodhi të kalojë te shëndetësia. Sipas tij:  “Në Angli presin 3 muaj për të bërë një radiografi për thyerje krahu, në Itali presin 6 muaj për një skaner. Kur vijnë këtu e duan jo brenda ditës, e duan brenda orës.”

Mes hallexhinjve që shkojnë përditë në spitale shpërthen një ilaritet kundërshtues, secili ka përvojën e tij, krejt të kundërt me atë të kryeministrit. 

“Vajza ime ka pritur 5 muaj për skanerin në Spital shtetëror” – thotë njëra. “Një rezonancë ja kanë lënë me 22 shkurt” -thotë e shkreta. Por Kryeministri nuk pranon. Për të dalë nga situata thotë: “Do flasim bashkë pastaj, nuk ekziston”…

E shkreta pensioniste ndihet keq, thotë batutën e famshme: 

“Mbase ju zoti kryeministër nuk i dini gjithë gjonat…”

Fevzo qesh…

“Mbase nuk i di” – i thotë kryeministri. “Por mbase edhe ti nuk i di”. Po të them që nuk është kështu se unë i ndjek gjërat në terren.

Por situata del nga kontrolli. Ndërhyn një tjetër hallexheshë që thotë se kam prenotuar koronare qysh në shkurt dhe e kam bërë tani. Kryeminsitri e kupton që është futur në qorrsokak dhe tërhiqet nga shëndetësia. Shkon te nafta. U sqaron pensionistëve që taksa e qarkullimit. Por hallexhinjtë nuk e lënë kollaj: “Kam paguar para për doktorin kur hoqa tiroiden”. 

Ja, kjo është intervista që dua. Njerëz të vërtetë, hallexhinj, që marrin 100 euro në muaj që shkojnë dyerve të spitaleve dhe që…. votojnë PS-në. Le ta votojnë veç të flasin.

Janë pyetje që çjerrin telajon e bukur të propagandës, që nuk pranojnë të diskutojnë për fakte dhe shifra. Nuk mund t’i sqarosh një njeriu Adam Smithin kur është në krizë ekzistence. Thjesht nuk të dëgjon. As nuk merret me të drejtën tënde. Një i tillë ka hallet e veta, mezi pret të bërtasë që po i dhemb. Ti i thua që i bën mirë shoqërisë. I thua që taksat nuk janë për ty por votat na i jep ne se ata tjerët do shkatërrojnë shtetin. Dhe ua rrjep atë dyleksh pension me spitalet falas! Dhe në fund u hakërrehesh: 

“Nuk je socialiste, je demokrate se të njoh nga era”! Çfarë turpi! 

Hallexhinjtë e Fevziut ia nxorën kallajin Kryeministrit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *