Rritja e vëmendjes për turizmin e aventurës duket se ka kthyer vëmendjen e institucioneve drejt përmirësimit të shtigjeve që përdoren kryesisht nga turistët e aventurës për eksplorim.

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka çelur këtë të martë procedura prokurimi që kanë në objekt të tyre punë zbatimi në dy shtigje mjaft të frekuentuar nga turistët. Konkretisht bëhet fjalë për shtegun e Bovillës në Tiranë dhe atë Theth Valbonë në Veri të vendit. Në këto dy shtigje referuar dokumenteve punimet që do të kryhen janë të natyrave të ndryshme.

Shtegu Ish-Rezervati Liqeni i Bovilleës”

Ky shteg përshkon terren malor dhe në vende të caktuara ka dhe hapësira të sheshta.

“Propozimi konsiston në pastrimin në tërësi të shtegut, rregullimin e hyrjes së shtegut nga ana e Rrugës Hida, si dhe nga ana e Rrugës së Arbrit. Të listuara ndërhyrjet si më poshtë:

Pasazh kalimi

Në pjesën hyrëse të shtegut, segmenti është pa gjelbërim, pra nuk ka barrierë mbrojtëse. Është propozuar vendosja e parapetit të kortenit në gjatësi prej 62m, derisa shtegu kalon përmes hapësirave të gjelbërta. Në zonën panoramike propozohet një hapësirë për yoga në formën e ballkonit panoramik prej druri. Propozimi tjetër është ballkon panoramik që shikon nga Liqeni i Bovillës. Ballkoni do të jetë me strukturë druri mbështetur në terren. Për pushim, përgjatë shtegut janë propozuar struktura druri për qëndrim dhe pushim. Strukturat janë gjysmë të mbyllura për të qëndruar dhe gjate ditëve me mot te keq. Në brendësi të fshatit Besh, është propozuar auditorium i hapur. Është menduar strategjikisht kjo hapësirë, për të shërbyer si për pushuesin e rregullt, si vizitorin e rastësishëm ashtu dhe banorët e fshatit. Në hyrje të shtegut nga Rruga e “Arbrit” është propozuar infopoint, sëbashku  me stola betoni të mbuluar me dru.

Shtegu Theth-Valbonë

Propozimi konsiston në pastrimin në tërësi të shtegut, rregullimin e hyrjes së shtegut, shtimin e itinerareve të reja për më aventurierët. Ndërhyrje e rëndësishme është identifikimi i shtegut që përshkohet në dimër dhe shtegut që përshkohet në verë.

Ballkoni panoramik është i pozicionuar në sheshin pranë hyrjes së shtegut, shikon pamjen e Luginës së Thethit. Në segmentin e thepisur të shtegut, vërhen një sërë gurësh të mëdhenj të cilët përdoren nga vizitorët për të pushuar gjatë ngjitjes. Propozimi konsiston në ndërtimin e strukturave të drurit të cilat mund t’i bashkëngjiten tyre me të njëjtin funksion.

Në pjesën e kalimit Theth-Valbonë, vërehen një numër i madh turistësh të cilët kërkojnë vende rastësore për pushim. Për këtë arsye është propozuar akomodimi i këtij funksioni në hapësirë të përshtatshme dhe që nuk ndodhet në rrymat e forta ajrore.

Në majën pranë pikës panoramike është propozuar kub panoramik me veshje korteni.

Në zbritje të Valbonës ka hapësira të përshtatshme për Bouldering, sport i cili bëhet në natyrë në gurët e mëdhenj.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *