Më shumë se një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, sot (30 janar) pritet të hapet rruga për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.

Sipas informacionit të KOHA-s, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve presin që procesi të përmbyllet gjatë orëve të pasdites. Pas këtij përfundimi, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa do të nisë periudha e ankesave, e cila mund të zgjasë deri në 13 ditë.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme parashikon që palët kanë 48 orë për të paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit të votave. Ky panel ka 72 orë kohë për të vendosur mbi ankesat e pranuara, ndërsa subjekti ankues mund të apelojë më tej në Gjykatën Supreme, e cila ka pesë ditë për vendim.

Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i rinumërimit heq shumë dilema lidhur me rezultatet dhe mund të ulë nevojën për ankesa. Megjithatë, ai theksoi se KQZ-ja duhet të presë për afatet e paraqitjes dhe shqyrtimit të ankesave para certifikimit të procesit zgjedhor.

Pavarësisht mundësisë që ankesa të vonojnë përmbylljen e procesit, Kosova përballet me një afat tjetër të rëndësishëm: sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Vjosa Osmani, e zgjedhur më 4 prill 2021, e ka afatin e fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit më 4 mars.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *