Ish-kryeministri i Kosovës u shpreh se kryemnistri, Albin Kurti po i shërben axhendës së Rusisë në rajon me vendimmarrje që krijojnë tensione ndëretnike.
Sipas Haradinajt, Kurti nuk po i përfill aleatët dhe vendimi për ndalimin e dinarit është tregues i kësaj sjellje.
“Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës kishte mund me e ndihmu veten më shumë sesa e ka ndihmuar Kurti Putinin. Nuk ka qenë e lehtë ngritja e çështjes tonë në nivel të presidentëve të Francës, Gjermanisë e SHBA-së me sekretarin Blinken. Pasi kemi arritur në këtë nivel, Kurti ka kërkuar pretekste për të përkeqësuar raportet me aleatët.
Kurti, në vend që ta çojë Kosovën drejt NATO-s, është vënë në dispozicion të axhendës ruse për destabilizim. U kthyem në Këshill të Sigurimit si agresorë, kemi qenë viktima. 9 anëtarë të KS janë njohës. Kosova u nda në kritikë të mbështetësve kryesorë të vet. Ka plot skeptikë ndaj Kosovës dhe interesi i Rusisë është që të rritet skepticizmi i vendeve evropiane. Dhe kjo loja me refuzime është në funksion të agjendës ruse duke e larguar Kosovën nga themeluesit e liderët e NATO-s dhe duke i nxitur armiqtë me e rreziku Kosovën.” – ka thënë Haradinaj për A2 CNN.