Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si po trajton çështjen e Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, Haradinaj tha se abstenimi i anëtarit të AAK-së, Muharrem Nitaj, gjatë votimit për certifikimin e Listës Serbe, ishte i bazuar në mungesë të fakteve dhe të kushteve ligjore.
“Për të votuar kundër është dashur të sillet ndonjë element ligjor. Nuk mundesh të ngritësh dorën dhe të thuash se janë çetnikë apo terroristë pa bazë ligjore. Nëse janë të tillë, pse qeveria Kurti nuk i ka çuar rastet në gjykatë këto pesë vite?”, tha Haradinaj.
Sipas tij, veprimet e LVV-së nuk janë të sinqerta, por vetëm për efekt politik. “Këta po bëjnë filma patriotikë, por patrioti nuk flet për patriotizëm. Ai që është trim nuk ka pse ta tregojë trimërinë e tij,” shtoi ai.
Haradinaj paralajmëroi se sjelljet e tilla rrezikojnë stabilitetin e Kosovës. Ai theksoi se veprimet kundër Listës Serbe duhet të bazohet në ligj dhe të trajtohen në gjykatë, jo në KQZ, që nuk është gjykatë dhe nuk mund të revokojë certifikimin.
KQZ-ja refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe me 2 vota dhe 7 abstenime. Anëtarët e LVV-së votuan kundër, ndërsa përfaqësuesit e AAK-së, LDK-së dhe PDK-së abstenuan. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar KQZ-në që të certifikojë Listën Serbe në të gjitha rastet e mëparshme.
Vendimi ka shkaktuar reagime nga Ambasada e SHBA-së, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe OSBE-ja, të cilët shprehën zhgënjim. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka komentuar mbi situatën.

