Sipas gazetës spanjolle “SPORT”, ylli i Bajernit të Mynihut, Harri Kejn, mund të jetë në radarët e Barcelonës që pas përfundimit të këtij sezoni. Burime pranë klubit katalanas pretendojnë se ekziston një klauzolë lirimi në kontratën e sulmuesit anglez, e vlefshme deri në vitin 2027, e cila do t’i mundësonte një largim të parakohshëm nga kampionët e Gjermanisë.

Gazeta thekson se Kejni mund të transferohej për një shumë fikse prej 65 milionë eurosh, një detaj që më herët ishte përmendur edhe nga “BILD” dhe “SPORT BILD”. Kjo klauzolë, sipas raportimeve, mund të aktivizohet nga vetë lojtari deri më 31 janar 2026.

Megjithatë, duket se zërat për një kalim në “Kamp Nou” nuk kanë shumë bazë reale. Vetë numri 9 i Bajernit i ka mohuar spekulimet, duke theksuar se është plotësisht i përqendruar te skuadra e tij aktuale.

“Jemi në një moment fantastik dhe nuk po mendoj për asgjë tjetër,” – tha Kejni në një intervistë së fundmi.

“Nuk kam ndër mend një rikthim në Angli apo ndonjë lëvizje tjetër për momentin.”

Madje, ylli anglez ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë kontratën me bavarezët. Pas arritjes së 100 golave me fanellën e Bajernit, ai u pyet nëse synon të shënojë edhe 100 të tjerë.

“Po, këtu në Mynih,” – u përgjigj ai me buzëqeshje. – “Kam ende dy vite kontratë dhe si unë ashtu edhe klubi jemi të lumtur me njëri-tjetrin. Ende nuk kemi diskutuar për rinovim, por kur të vijë momenti, do të jetë një bisedë e hapur dhe e ndershme për të ardhmen.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *