Nga Arbër Zaimi

Vendi i parë që u industrializua dhe krijoi hegjemoni kapitaliste globale ishte Britania, duke filluar në shekullin XVIII. Në pozitën e hegjemonit ajo kontrollonte një pjesë të mirë të tregtisë, financave dhe ekonomisë globale, por edhe territore të gjera perandorake, pra edhe baza ushtarake e tregtare anembanë globit.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX filluan të industrializohen intensivisht edhe Amerika (sidomos pas fitores së Luftës Civile nga shtetet e industrializuara dhe humbjes së saj nga shtetet agrare e ndalimit të skllavërisë), si dhe Gjermania (sidomos pas bashkimit të shtettheve gjermane me Prusinë e Bismarckut). Britania nuk ndenji pasive ndaj këtyre dy fenomeneve që e shqetësonin tej mase dhe e kërcënonin mbajtjen e pozitës së hegjemonit.

T’i luftonte të dyja këto fuqi, do të ishte e pamundur dhe vetëshkatërruese. Kështu që në Luftën e Parë ata u investuan në luftën kundër Gjermanisë, të bindur se Europa do të mund të ishte rival më serioz në pretendimet për hegjemoni, kurse Amerika ishte larg, kishte traditë izolacioniste e jo ekspansive, e kështu me radhë. Lufta u nis me entuziazëm dhe vetëbesim të madh nga palët, por shpejt ra në ngërç, asnjëra palë nuk po avanconte e të dyja palët po humbnin masivisht jetë njerëzish dhe kapital. Në 1916 ekonomia britanike u tejkalua prej asaj amerikane, e kjo e dyta ende nuk kishte vendosur të përfshihej në luftë.

Aty ndërroi pozita, dhe prej asaj kohe Britania nuk u kthye dot më në pozicion të parë. Pasi humbi pozitën prijëse ekonomike, gradualisht humbi edhe territoret e kolonitë, dhe u shndërrua në fuqi të dorës së dytë. Pak dekada më vonë Lufta e Dytë botërore i dha fund edhe ëndrrave gjermane për hegjemoni.

Sot situata nuk është e njëjta sepse as teknologjia prodhuese e ajo ushtarake nuk janë të njëjtat, por tek-tuk ka ndonjë ngjashmëri. Fuqia hegjemone është Amerika, ndërsa dy fuqitë që e shqetësojnë për shkak të potencialit ekonomik, që gjithmonë nënkupton edhe potencial ushtarak apo teknologjik, janë Kina dhe Europa. Nëse Amerika është në pozitën e Perandorisë Britanike, me baza dhe klientë (apo pacientë) anembanë globit, Europa i ngjan pak Gjermanisë që s’gjente dot udhën e bashkimit para Bismarckut, ndërsa Kina shihet pak si Amerika dikur, si e largme, si jo fort me traditë për ekspansion gjeopolitik pavarësisht ekonomisë në rritje. Edhe një tjetër ngjashmëri: nga ato që lexojmë nuk duket se hegjemoni aktual ka prirje për luftë me Kinën, siç nuk kishte dikur as Perandoria Britanike prirje për luftë me Amerikën. Nga Uashingtoni sot si nga Londra dikur, si problem më i madh shihet Europa, mbase nisur nga të njëjtat parakoncepte që e shohin Europën si më të prirur historikisht për hegjemoni. Mirëpo Europa për momentin ende nuk e ka gjetur një Bismarck, e angazhimi është i madh që të mos lejohet ta gjejë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *