Nga Gëzim Mekuli
Duket qartë nga kjo pamje se Donald Trump, një njeri i njohur për servilizmin ndaj autokratëve dhe njëfarë pëlqimi për diktatorët, po përpiqet t’i japë leksione një burri që ka përballuar sulmin më brutal që Evropa ka parë në dekada.
Volodymyr Zelensky, presidenti që po mban barrën e rezistencës kundër agresionit rus, shfaqet këtu me një qëndrim të fortë dhe heroik, duke mos iu nënshtruar retorikës boshe të një njeriu që ka flirtuar me Kremlinin.

Trump dhe ndihmësi i tij servil, J.D. Vance, duken sikur po përpiqen të minimizojnë sakrificat e një kombi të tërë që po lufton për lirinë dhe demokracinë. Në vend që të përkrahin Ukrainën në këtë betejë historike kundër fashizmit rus, ata zgjedhin të bëjnë një lojë politike të turpshme, duke mos kuptuar peshën e momentit.
Përballë kësaj hipokrizie, Zelensky qëndron i palëkundur, i fortë, i madh dhe një Churchill i shekullit XXI.
Ai nuk i nënshtrohet shantazheve të Trumpit, një njeriu që dikur tentoi ta shantazhonte për qëllime elektorale dhe që sot, bashkë me Elon Musk, dëshiron t’i diktojë Ukrainës dorëzimin.
Por Zelensky nuk është një figurë e zakonshme politike – ai është simbol i qëndresës së një populli që nuk pranon të bjerë nën zgjedhën e tiranisë. Dhe historia do të mbajë mend se kush qëndroi në anën e drejtësisë dhe kush u tregua vegël e Kremlinit.