Nga Arilda Lleshi

Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, neni 26, Bashkia ka për detyrë të marrë masa për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja. Sipas ligjit të xhunglës, gjithçka që ndodh në Lezhë kalon de-facto nga zyra e kryetarit të Bashkisë. Mirëpo, gjatë këtyre 5 viteve, Bashkia nuk ka marrë asnjë masë për ndotjen e shkaktuar nga INCA dhe as nuk ju është përgjigjur qytetarëve për shumë kohë. Kryetari i Bashkisë ka pretenduar se nuk ka kompetencë, por siç e tregon ligji, kjo nuk është e vërtetë dhe siç e tregon praktika, Bashkia ka vepruar në raste të tjera të ngjashme, për shembull për mbylljen e thertoreve ose për ndotjen akustike. 

1. Leja e zhvillimit/ ndërtimit

Bashkia është përgjegjëse për çdo ndërtim në territorin e saj. Deri sot, Bashkia nuk i është përgjigjur akoma kërkesës time për informacion se kush e ka dhënë lejen e zhvillimit/ndërtimit për fabrikën. Por ajo që dihet është se fabrika ka nisur punë në mandatin e z. Pjerin Ndreu. Tani ose godina e fabrikës është ndërtuar pa leje ose i është dhënë leja nga administrata aktuale. Nëse është rasti i parë, subjekti duhet ndëshkuar. Nëse është rasti i dytë, bashkia mban përgjegjësi që e ka lejuar aktivitetin në zonë të banuar.

2. Refuzimi për qëndrim publik

Pas protestës tonë, ne i kemi dërguar një kërkesë zyrtare për takim kryetarit të Bashkisë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne kemi kërkuar të shkojmë në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të diskutuar për çeshtjen. Ata nuk na e kanë pranuar kërkesën. Ne kemi mbështetur kërkesën në Këshill Bashkiak për interpelancë me subjektin INCA. Bashkia e ka refuzuar. Bashkia ka refuzuar me çdo kusht të mbajë një qëndrim mbi çeshtjen. 

3. Në pritje të realizimit të premtimit 

Pas vendimit të AKM për pezullimin e shkarkimeve, një grup nga banorët më në fund u takua me kryetarin e Bashkisë. Pasi puna ishte bërë, donte të dilte mirë edhe me banorët. Ai u premtoi se do i kërkonte subjektit të largohej nga aty. Fabrika vazhdon punon si zakonisht që nga ajo ditë. Asgjë konkrete prej më shumë se 1 muaji. 

4. Konflikti i interesit

Kompania e sigurimit që e ruan fabrikën INCA është Ndreu Security, një kompani e regjistruar në emrin e vëllait të Kryetarit të Bashkisë.

By Editor