Autoritetet belge kanë hapur një hetim të gjerë mbi mënyrën si kompania izraelite Elbit Systems dyshohet se ka siguruar disa kontrata të prokurimit të NSPA-së, agjencisë së NATO-s për mbështetje dhe prokurime. Në qendër të hetimeve ndodhet konsulenti 60-vjeçar Eliau Eluasvili, shtetas italian, për të cilin Prokuroria Federale e Belgjikës ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti, duke e akuzuar për “korrupsion aktiv” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Elbit Systems, e cila prej korrikut është pezulluar nga të gjitha tenderët e NATO-s, lidhej me disa kontrata të mëparshme edhe me kompaninë shqiptare KAYO, të drejtuar nga Ardi Veliu.

Sipas dokumenteve të brendshme të NATO-s, gjatë verës u pezulluan 15 kontrata 13 prej të cilave të lidhura me Elbit Systems dhe filialin Orion Advanced Systems që përfshinin furnizime me municione, fishekzjarrë dhe pajisje ajrore, si dhe projektin e madh për modernizimin e flotës së Marinës Portugeze, me vlerë rreth 100 milionë euro. Zyrtarja përgjegjëse për programin e municioneve në NSPA, Céline Danielli, i njoftoi shtetet anëtare për “parregullsi serioze” që komprometonin procesin e prokurimit, duke paralajmëruar se strategjia aktuale e blerjeve nuk mund të zbatohej më normalisht.

Hetimi belg është thelluar pasi disa ish-agjentë të NATO-s të përfshirë në programin e municioneve janë arrestuar muajt e fundit, përfshirë ish-zyrtarin belg Guy Moeraert, i akuzuar për marrje ryshfeti, pastrim parash dhe korrupsion gjatë periudhës kur punonte në NSPA. Pasi kaloi në sektorin privat si konsulent, Moeraert dyshohet se ka bashkëpunuar me Eluasvilin për të favorizuar Elbit Systems në tenderët e NATO-s, duke përfituar nga rrjeti i ish-punonjësve të NSPA-së që tani operojnë si ndërmjetës në kontratat e mbrojtjes në Europë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *