Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me eksportin e dyshuar të mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës, një skandal i raportuar nga media prestigjioze amerikane “Bloomberg”. Sipas njoftimit të prokurorisë, hetimi ka filluar në Portin e Durrësit, por detaje të mëtejshme mbi personat ose kompanitë e përfshira nuk janë bërë akoma publike.

Skandali ka ngritur pyetje të shumta mbi përgjegjësitë institucionale, duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit, administratën doganore shqiptare dhe inspektoriatet në varësi të tyre. Sipas legjislacionit në fuqi, doganat kanë përgjegjësinë kryesore për verifikimin e dokumentacionit dhe përmbajtjes së kontenierëve gjatë eksportit të mbetjeve të rrezikshme. Megjithatë, raportimet sugjerojnë se hetimi i nisur në Portin e Durrësit mund të jetë një përpjekje për të mbuluar përgjegjësitë kryesore.

Në këtë rast, Ministria e Mjedisit pretendon se eksporti i ngarkesës për në Tajlandë është realizuar pa autorizimin e saj duke akuzuar kështu kompaninë Kurum për përfshirje direkte në këtë skandal. Megjithatë, kompania Kurum ka mohuar çdo lidhje me ngarkesën e mbetjeve toksike, duke theksuar se ajo respekton të gjitha rregullat vendore dhe ndërkombëtare për transportin e mbetjeve të rrezikshme.

Doganat Shqiptare kanë lëshuar një deklaratë, duke pretenduar se mbetjet nuk janë produkt shqiptar, por tranzit ndërkombëtar midis një firme kosovare dhe një firme zvicerane. Nëse kjo deklaratë është e vërtetë, atëherë Doganat Shqiptare mund të kenë shkelur ligjin, i cili ndalon kalimin tranzit të mbetjeve të rrezikshme përmes territorit shqiptar.

Sipas “Bloomberg”, denoncimet për eksportin e mbetjeve toksike kanë çuar në kthimin e dy anijeve të ngarkuara me rreth 800 ton mbetje industriale nga Shqipëria. Kompania Maersk ka vendosur t’i kthejë këto anije në Shqipëri, pasi alarmi për përmbajtjen e tyre u ngrit nga organizata amerikane “Basel Action Network”. Mbetjet toksike përmbajnë metale të rrezikshme si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.

Ky skandal i eksportit të mbetjeve toksike ka ngritur shqetësime serioze mbi mbikëqyrjen dhe zbatimin e rregulloreve mjedisore në Shqipëri, si dhe mbi rolin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *