Prokuroria e Durrësit zbarkoi të hënën pranë zyrave të kompanisë Kurum në Elbasan dhe sekuestroi dokumentacion që besohet ka lidhje me çështjen e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
E pyetur nga BIRN, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli tha: “ne kemi marrë gjithë dokumentacionin që mendojmë se ka lidhje me çështjen”.
Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara. BAN ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.
Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm. Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.
Ministria e Mjedisit në një reagim për mediat pranoi që mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga metalurgjiku. “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, tha ministria në një sqarim për mediat.
Kompania Kurum ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
Hetimet në lidhje me mbetjet toksike kanë ngritur alarmin mes qytetarëve në Elbasan. Arben Ramkaj, drejtues i Qendrës Ndërfetare në Elbasan ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale duke theksuar se qyteti po hesht për një çështje të rëndësishme si mbetjet toksike. “Duhet sensibilizim dhe transparencë nga kompania në fjalë dhe politikbërja në qytet duhet të sqarojë qytetarët se ç’po ndodh realisht”, shkroi Ramkaj.
Ndërkohë po të hënën në media u shpërnda një lajm në lidhje me mbylljen e punës pranë Kurum dhe shkarkim masiv të punonjësve. Megjithatë Inspektorati i Punës pas komunikimit me kompaninë gjeti që mbyllja e proceseve kishte të bënte me çështje teknike të kompanisë dhe se punëtorët nuk ishin shkarkuar, por kishin marr lejen vjetore të paguar.
Burimi: Reporter.al