Deputeti socialist Plarent Ndreca është marrë si i pandehur pas një hetimi nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shkelje të ligjeve të prokurimeve publike dhe korrupsion në procesin e tenderimit për rikonstruksionin e disa komisariateve në Shqipëri. Ndreca, i cili ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, akuzohet për ndërhyrje dhe manipulime që kanë çuar në favorizim të kompanive të caktuara dhe në abuzim financiar të fondeve publike. Spak shprehet se këto tendera janë shoqëruar me rritje artificiale të kostove, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.
Sipas burimeve të ndryshme, hetimi filloi pas një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili ngriti dyshime për keqpërdorim të fondeve dhe shkelje të rregullave të konkurrencës. Për këtë rast, SPAK ka marrë në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, për shkak të lidhjeve të tij me procedurat e tenderimit gjatë kohës që Ndreca ishte në postin e lartë administrativ.
Ky hetim përfshin procedura të zhvilluara në komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Ndërkohë, është duke u hetuar edhe një tender për uniformat e Policisë së Shtetit nga e njëjta periudhë.