Qeveria ka vendosur të heqë mbështetjen me naftë falas për fermerët, një masë që për disa vite ka ndihmuar drejtpërdrejt në uljen e kostove të prodhimit në bujqësi. Vendimi është marrë përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 dhe prek mbi 50 mijë fermerë që përfitonin nga kjo mbështetje.

Skema e mëparshme parashikonte furnizimin me naftë pa TVSH, akcizë dhe taksa të tjera, ndërsa këtë vit ajo nuk përfshihet më në paketën e ndihmës për sektorin bujqësor. Në vend të saj, Ministria e Bujqësisë ka prezantuar një model të ri mbështetjeje që, sipas saj, synon të jetë më gjithëpërfshirës dhe i përafruar me praktikat e Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se ndryshimi synon të mbështesë fermerët përmes një kombinimi masash, përfshirë subvencione direkte dhe mekanizma të tjerë financiarë.

Megjithatë, vendimi ka ngjallur pakënaqësi tek një pjesë e fermerëve, të cilët thonë se nafta është një nga kostot kryesore të punës në bujqësi, pasi përdoret në çdo fazë të ciklit të prodhimit, nga përgatitja e tokës deri te korrja e prodhimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2025 rreth 65 mijë fermerë përfituan nga Skema Kombëtare, ndërsa mbi 50 mijë prej tyre u mbështetën konkretisht me naftë falas. Në pesë vitet e fundit, për këtë skemë janë shpenzuar rreth 87 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Skema e re për vitin 2026 parashikon mbështetje kryesisht për sektorë të tjerë si blegtoria, investimet në bujqësi dhe praktika të reja prodhimi. Janë ulur gjithashtu pragjet për përfitim në disa kategori, me synimin për të përfshirë më shumë fermerë në programet e subvencionimit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto masa do të arrijnë të kompensojnë heqjen e mbështetjes për naftën, e cila konsiderohej një nga ndihmat më të drejtpërdrejta për fermerët në përballimin e kostove të prodhimit.

Burimi: Faktoje.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *