Nga Daut Dauti

Histeria e dënimit publik/medial të rastit të Shtërpcës e kalon edhe kufirin e gërditshmërisë. Dënimi është dhënë nga ne edhe pse në realitet dimë fare pak detaje për rastin. Përkundër këtij fakti, nuk mungojnë kualifikimet për arsyen e ndodhisë që shumica janë absurde. Merreni me mend, kishte raste që ushtari në fjalë akuzohej për fundamentalist islamik pasi që sulmi është bërë gjatë festës religjioze serbe. D.m.th deri këtu ka shkuar akuza vetëposhtruese e disave që veten e quajnë shqiptar.

Po e zëmë që ushtari i FSK-së, është plotësisht fajtor dhe se ka gjuajtur me qëllim dhe për pikë t’qefit t’i vrasë dy serbë. Pse duhet ta dënojmë ne (individët) këtë rast? A nuk ia kemi deleguar ne (populli) këtë kompetencë policisë, prokurorisë dhe gjykatave?

Është për t’u brengosur se si bëhen thirrje për dorëheqje dhe si fajësohet edhe FSK. Pse duhet për një individ të akuzohen institucionet kur dihet që fajësia për vepër penale është e karakterit individual? 

Kjo tendencë krijon një atmosferë shumë të rëndë dhe të ngjashme me atë të fillimit të majit të vitit 1985 që u quajt ‘Rasti Martinoviq’. Atëherë, nën presionin e pushtetit qendror (Beogradit) u zhvillua një garë e madhe mes shqiptarëve në pushtet dhe personaliteteve që silleshin rreth pushtetit për t’i dënuar shqiptarët që e kishin ‘dhunuar’ Martinoviqin.  Sidoqoftë, histeria vazhdoi disa ditë derisa vet Martinoviqi tha: ’Mos u ngutni burra se vet e kam ba’. Por, histeria e sotme është më brengosëse se ajo e viteve të 80-ta, që karakterizohej me antishqiptarizëm. Atëherë kishte forcë në shoqëri për të mos i pranuar rastet individuale si të përgjithshme. Madje, kjo histeri nuk ishte e theksuar si sot as në mesin e pushtetarëve shqiptarë. Tashi është rritur numri i dënuesve kujdestarë dhe u është hapur më shumë rruga që për një rast t’i akuzojnë institucionet dhe tërë shqiptarët. Dmth kemi ardhur në një situatë të viteve të ’80’ta, me një dallim që atëherë na detyronte pushteti që t’i dënonim këto raste, duke e mbrojtur sistemin e huaj, kurse sot e bëjmë vullnetarisht dhe kundër sistemit tonë. Mentaliteti për paprekshmërinë e serbit hyjnor ka vazhduar duke u tranfsormuar në frikë vullnetare të përhershme ‘për shkak të situatës’. Ne duhet ta eliminojmë këtë frikë dhe tërë qytetarët e Kosovës, si për të mirë si për të keq, t’i trajtojmë njësoj. Dhe, mbi të gjitha, ta mbyllim gojën deri në momentin kur gjykata nxjerrë vendim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *