Fragment
Nga Shaip Beqiri
Pasi që ne shqiptarët mbetëm me një historiografi tepër të varfër, për të mos thënë të mjerë, për vendin dhe popullin tonë të ndarë, të shpërndarë e të përçarë, e cila më shumë u përshklli dhe u nxi në vend se të shkruhej saktë e mirë, i ra për hise në njëfarë dore veprës letrare të Ismail Kadaresë të bënte edhe këtë rol në botë gjithë deri sot, ndonëse një rol i tillë nuk është shumë i lakmueshëm për letërsinë, e cila në radhë të parë ka funksionin e vet artistik.
Lërimi me kaq përkushtim i periudhave të gjithë historisë, duke u përqendruar tek nyjat qenësore të saj, është një dimension shumë i veçantë i veprës letrare të Kadaresë. Në trajtimet e vet ai futet deri tek thellësitë e errta të mitologjisë shqiptare, duke u përpjekur të mos bëhen kapërcime të mëdhenj epokash e periudhash të historisë. Në këtë pikë do të bëja edhe një parantezë të vogël: është e habitshme si kanë mbetur jashta preokupimit krijues të Ismail Kadaresë periudha ilire, pastaj ajo e arbëreshëve dhe sidomos Çamëria dhe problemi çam.
Të shtoj këtu që ai, ndonëse bëri përpjekje të rrekej me trajtimin e temës së Kosovës më shumë se një herë, trajtimi i saj mbeti një trajtim kryesisht i zbehtë. Ndoshta ky do te ketë qenë shkaku i asaj shmangie që ngrita në këtë parantezë, e cila më del natyrisht jothelbësore, pasi që liria krijuese kapërcen dhe shuan çfarëdo kërkese të kësaj natyre.
Cyrih, 2016