Nga Daut Dauti
Ghislaine Maxwell, në vitin 2021, është dënuar me 20 vjet burg për shkak të përfshirjes në trafikim seksual dhe për konspiracion me Jeffrey Epstein-in, i dënuar për këto vepra të rënda penale. Ghislaine është vajza e Robert Maxwell-it, ish-magnatit të disa shtëpive botuese dhe gazetave.
Nga viti 1990 deri më 1998, Maxwell e ka botuar një revistë, e cila quhej The European. Në këtë revistë ka punuar edhe Ghislaine Maxwell. Politika redaktuese e shpallur kishte për synim përhapjen e frymës evropiane, gjë që në fakt nuk u realizua.
Kjo revistë, që botohej në Londër në gjuhën angleze, shpërndahej në të gjitha vendet evropiane. Rajonin e Ballkanit dhe Evropës Lindore e mbulonin gazetarë rusë, së paku dy prej tyre, që shkruanin nga Moska. Për shkak të situatës në Jugosllavi, Kosova gjendej pothuajse përherë në faqet e kësaj reviste. Për Kosovën shkruhej në mënyrë të ngjashme me gazetat e Beogradit. Shqiptarët përherë paraqiteshin si Muslim Albanians (Shqiptarët myslimanë), duke u cilësuar si pjesëtarë të shkatërrimit të Jugosllavisë që tashmë kishte filluar. Sipas kësaj reviste, bëhej me dije, në mënyrë indirekte, se shqiptarët, si myslimanë, do të ishin problem për Evropën. Pra, kjo ishte politika redaktuese e Maxwell-ëve dhe e gazetarëve rusë e pansllavë, të cilët ishin në anën e Serbisë.
Në fakt, në Britaninë e Madhe kishte edhe gazeta dhe radiotelevizione të tjera që e përdornin termin Muslim Albanians. Kjo gjë filloi të zhdukej dhe deri më 1988 pak media e përdornin këtë term, por The European nuk ndalej dot. Kjo revistë u mbyll më 1998 për shkak se pronari Maxwell ishte zhytur në keqpërdorime të fondeve, duke vjedhur edhe fondin pensional të gazetarëve.
Me mbylljen e kësaj reviste përfundoi përhapja e qëllimshme e një fryme anti-shqiptare. Në Britaninë e Madhe dhe në botë ky ishte një skandal i madh. Në vitin 1991 Maxwell u gjet i vdekur në jahtin e tij, ndërsa shkaku i vdekjes u tha se ishte vetëvrasje apo vdekje nga një sulm në zemër. Vajza e tij, Ghislaine, tashmë në burg, ka deklaruar disa herë se vdekja e babait të saj ishte vrasje.
Në fakt, në këtë skandal, sikurse edhe në atë të Jeffrey Epstein-it, gjërat kanë qenë të komplikuara. Në shumë raste është bërë me dije se Robert Maxwell ishte njeri i Mossad-it, ashtu siç është thënë edhe për Epstein-in.

