Laura Fazliu ka mposhtur bartësen e dytë dhe bartësen e parë për ta fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos. Për Laurën është sukses historik, më i madhi në karrierën e deritanishme.
Të martën në Botërorin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Laura u rendit e treta në kategorinë deri 63 kilogramë. Për medalje të bronztë e mposhti kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard. Kanadezja ishte bartësja e parë e kategorisë deri 63 kg në Botëror. Ndaj Beuchemin-Pinardit, 23-vjeçarja i kishte një fitore e dy humbje. Tani bilanci me të është 2:2.
Ndaj kanadezes, Laura kishte kontrollin e plotë. Realizoi kundërsulm thuajse të përkryer për uazari. Më pas dominoi deri në fund për fitore bindëse. Kanadezja i kishte edhe dy dënime, që dëshmon për dominimin e kosovares. Pas luftës, Laura shpërtheu në lot. – raporton Koha.net.
Festa ishte emocionale edhe në krahërorin e Majlinda Kelmendit, që udhëhoqi Laurën në Botëror.
Në luftën e parë të repesazhit, Laura Fazliu në mënyrë impresive, me Ippon të bukur, e mposhti australianen Katharina Haecker. Ajo ishte bartësja e dytë, ndërsa Laura e treta.
Për xhudisten kosovare ishte gara e parë pas pauzimit prej disa muajsh për shkak të lëndimit muskulor. Laura ishte lënduar në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë më 22 mars. Prej atëherë nuk ka garuar.Si bartëse e tretë, Laura Fazliu ishte e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e mposhti kroaten
Katarina Kristo. Fitoi me hedhje të bukur për uazari. Më pas, Laura fitoi ndaj ruses Dali Luliashvili, që garon si sportiste e pavarur. Ndaj saj realizoi hedhje për uazari me të nisur lufta. E vazhdoi dominimin dhe realizoi tjetër hedhje për Ippon dhe fitore bindëse – vijon Koha.net.