Nga Agim Morina
Në këto dymbëdhjetë fjalë, Oweni dhe Hilli kishin nxjerrë tri lëshime kyçe nga Miloševići, që kishin qenë të paarritshme për vite me radhë:
• Së pari, duke pranu fjalët “vazhdon ekzistenca e tij legale”, Miloševići u pajtu se shteti i Bosnjës kishte një ekzistencë legale — për më tepër, një ekzistencë që mendohej se “do të vazhdonte”, duke nënkuptu kështu një pranim prapaveprues të kërkesës së Bosnjës për pavarësi, të mohuar nga serbët gjatë gjithë luftës. Kjo ishte hera e parë që serbët e Bosnjës kishin pranu në mënyrë eksplicite të drejtën e Bosnjës për të ekzistu si një vend i pavarur.
• Së dyti, “me kufijtë e tanishëm”. Duke folë për Serbinë dhe serbët e Bosnjës, Miloševići kishte pranu kufijtë ekzistues të Bosnjës, duke i dhënë fund zyrtarisht pretendimeve territoriale ndaj Bosnjës nga Serbia dhe duke hedhë poshtë synimet separatiste të Pales.
• Së treti, “vazhdim i njohjes ndërkombëtare”. Sikur Miloševići të kishte pranu vetëm njohjen ndërkombëtare, mund të kishte paqartësi se çfarë po njihej. Por përdorimi i fjalës “vazhdim” eliminoi një paqartësi të mundshme; “Bosnja” do të ishte i njëjti vend që ishte njohur nga shumë shtete dhe kishte ulëse në Kombet e Bashkuara. Ne menduam se kjo frazë përfaqësonte një përparim të madh, që arrinte në njohjen de facto të Bosnjës nga serbët. Por kishte edhe disa probleme me draftin:
• Së pari, Miloševići kishte kundërshtu me leju që vendi të mbante emrin “Republika e Bosnjë-Hercegovinës”. Ai kërkoi “Bashkim” ose ndoshta “Konfederatë”, emra që e dinim se Izetbegovići do t’i refuzonte.
• Së dyti, Miloševići këmbënguli që pjesa serbe e vendit të referohej si “Republika Srpska (R.S.)”. Përdorimi i emrit që Karadzići dhe serbët e Pales i kishin vënë vetes ishte e sigurtë se do të ishte një problem i madh për Sarajevën.
Sapo Izetbegovići ia nguli sytë letrës para tij, nuk pranoi lëshimet e paprecedentë që i kishim nxjerrë prej Miloševićit. Por, siç e prisnim, ai ishte i pakënaqur me përpjekjen e Miloševićit që të ndryshonte emrin e shtetit dhe kundërshtoi fuqimisht përdorimin e shprehjes “Republika Srpska”.
E sigurova Izetbegovićin se Shtetet e Bashkuara nuk do të pajtoheshin kurrë me dëshirën e Miloševićit për me i përdorë fjalët “bashkim” ose “konfederatë”. I kërkuam Izetbegovićit të na lejonte t’i propozonim Miloševićit që vendi të quhet thjesht “Bosnjë dhe Hercegovinë”. Izetbegović kundërshtoi. Ne argumentuam se shumë vende, përfshirë Japoninë, nuk kishin fjalën “republikë” ose “mbretëri” ose ndonjë përshkrim tjetër të strukturës së tyre politike përpara emrit të tyre. “Të heqësh dorë nga fjala “republikë” nuk do të thotë të heqësh dorë nga asgjë, veçanërisht në krahasim me faktin që Miloševići tani e ka njohë në mënyrë efektive vendin tuaj brenda kufijve të tij aktualë”, i tha Oweni Izetbegovićit.
Pika e dytë ishte më e vështirë. “Ai emër [Republika Srpska] është si emër nacist,” tha Izetbegovići. Ne iu përgjigjëm se emri nuk do të thoshte asgjë dhe se fjalia mbizotëruese – që e zhvlerësonte të – ishte fjalia parapake që e njihte Bosnjën dhe Hercegovinën si një shtet “me kufijtë e tij të tanishëm”, domethënë një shtet i vetëm, në të cilin R.S. përbënte vetëm një pjesë. “Në vendin tonë,” vuri në dukje Oweni, “disa shtete, duke përfshi Teksasin dhe Masaçusetsin, e quajnë veten “republikë” ose “komonuelth”. Nuk ka rëndësi, për sa kohë që ata pranojnë që janë pjesë e një shteti dhe janë të njohur nga pjesa tjetër e botës”.
Izetbegovići vazhdoi të kundërshtojë për më shumë se një orë. Herë pas here dilja nga dhoma për të folë me Shtëpinë e Bardhë rreth bombardimit. Kjo bëri që Izetbegovići të shohë se unë po luftoja fort për diçka që ai donte dëshpërimisht – rifillimin e bombardimeve. Por, ende ishte e vështirë për të të pranonte një dokument që përmbante emrin Republika Srpska.
Ishte ora një e pas mesnate. “Ne i kuptojmë problemet tuaja rreth kësaj pune,” i thashë Presidentit, “por është më e mira që mund të bëjmë me Miloševićin në këtë kohë. Ne nuk besojmë se emri Republika Srpska, sado i tmerrshëm, do të thotë shumë për aq kohë sa ju merrni gjithçka tjetër—njohjen ndërkombëtare, kufijtë e përcaktuar, pranimin e statusit tuaj legal. Më parë nuk kishit asgjë nga këto. Nuk mund ta nxjerrim ‘Republika Srpska’-n nga drafti. Më vjen keq, por kjo është sa mund të bëjmë ne.”
Një pauzë e gjatë. Disa diskutime mes boshnjakëve. Më në fund, përgjigja nga Sakirbej, derisa Izetbegovići rrinte ulë, i heshtur dhe i pakënaqur. “Kjo është keq për presidentin tim, por ne do të përpiqemi ta pranojmë. Pë ë do të jetë shumë e vështirë që këtë t’ia shpjegojë popullit të tij.”
Richard HOLBROOKE, To End a War: The Conflict in Yugoslavia–America’s Inside Story–Negotiating with Milosevic (Modern Library [Revised], fqt. 130-131