Arbër Hoxha ka shënuar golin e parë për Kombëtaren shqiptare, një moment që e konsideron të veçantë dhe motivues për të ardhmen. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, futbollisti shprehu gëzimin pas këtij suksesi dhe foli për ambiciet e skuadrës drejt kualifikimeve për Botërorin.

“E prisja shumë këtë moment. Edhe pse kam kohë që jam pjesë e ekipit, nuk kisha shënuar ende, por jam shumë i lumtur që e bëra më në fund. Shpresoj të ndihmoj Kombëtaren sa herë të ketë nevojë dhe të jem në formën më të mirë”, tha Hoxha.

Futbollisti është i bindur se Shqipëria mund të arrijë në Botëror. “Sigurisht që e besojmë këtë. Ëndërra jonë është të shkojmë fillimisht në ‘Play Off’ dhe më pas të kualifikohemi. Duhet të ecim hap pas hapi”, shtoi ai.

Hoxha nuk i kursen fjalët e mira edhe për Kosovën: “Jam shumë i lumtur për Kosovën. Jemi një komb dhe do të ishte gjëja më e bukur që të shkonim të dyja skuadrat. Besoj se Kosova ka kualitetin për të bërë mirë dhe për të arritur objektivin.”

Ky gol i parë i Hoxhës me fanellën kuqezi shënon një kapitull të ri për futbollistin dhe rrit pritshmëritë për arritjen e objektivit historik të Shqipërisë dhe Kosovës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *