Nga Sebastian Zonja
Këtë fundjavë më dërgoi një mik nga Brukseli disa dokumentë që kishte botuar një institut gjerman, të cilët mbanin vulën konfidencial. Aty shqyrtohej plani evropian dhe amerikan i investimit në Ukrainë dhe afrimi i saj me Bashkimin Evropian. Hartuesit e kishin të qartë se Kievi ishte i kalbur prej korrupsionit dhe vjedhjet janë galopante. Ndërtimi i një strukture anti-korrupsion për të mundësuar rindërtimin e Ukrainës dhe afrimin e saj me Bashkimin Evropian ishte kusht themelor. Nëse vendi nuk ndërton një strukturë të këtillë është e kotë të investohet, sipas ekspertëve të fushës. Të gjitha paratë do shkojnë në duart e oligarkëve vendas, të cilët do t’i ndajnë mes vedi. Shumë pak para taksapaguesish evropianë dhe amerikanë do shkojnë për rindërtim, ndërsa besueshmëria e qytetarëve në projektet e rimëkëmbjes do mungojë, duke vështirësuar çdo projekt të mundshëm afrimi me BE-në dhe për të luftuar korrupsionin.
Kjo qasje që kanë evropianët dhe amerikanët për ta bërë Ukrainën pjesë të Bashkimit Evropian në një të ardhme afatmesëm përkon me ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë SPAK-ut në Shqipëri. Mendoj se si projekt-pilot nuk është çudi që modeli ynë i SPAK-ut të eksportohet në Moldavi dhe Ukrainë pas disa vitesh. Ndërkohë, kuptojmë nga këto projeksione evropiane se vala e ardhshme e goditjeve të Prokurorisë së Posaçme mund të jenë të ashtuquajturit oligarkë dhe koncesionet e tyre qindra milionëshe. Nëse skema goditëse rezulton e vërtetë dhe ne po përgatitemi të hyjmë në Bashkimin Evropian, Brukseli dhe Uashingtoni i kanë dhënë SPAK-ut kopaçen me godit grabitjen e pasurisë publike. Me gjasë, radhën, shumë shpejt, të shkojë me trokit te dera e SPAK-ut, e ka Edi Rama me ndonjë oligark që i rri te paradhoma.
Tik – tak. Tik – tak. Andaj, në vijim, fronti kundër SPAK-ut veçse do zgjerohet, deri në pikën kur do tentojnë ta zhbëjnë. Pas disa muajsh do shohim sa fuqi ka Evropa, sa fuqi kanë këta tanët. Edi Rama i ka në rresht të vetët, siç i ka Sali Berisha në PD, por duke qenë se kanë 30 vjet që spiunojnë njëri – tjetrin nëpër ambasadat e huaja, dosjet e korrupsionit dhe numrat e llogarive bankare nëpër botë i kanë amerikanët dhe evropianët. Do ketë ngjarje interesante, shumë interesante në vijim. Por siç thotë një shprehje e lashtë kineze që nuk e di nëse e ka mësuar frëngu – Rama dhe Berisha mund të ndryshojnë gjithçka që të mos ndryshojë asgjë për pushtetin e tyre.

