Pas shumë kërkimeve nga ajri dhe toka u bë e mundur gjetja e njërit prej dy turistëve bullgarë të cilët lëviznin së bashku në majën e Jezercës.
Turisti bullgar njoftoi autoritetet se kishte humbur kontaktet me bashkëudhëtarin e tij, ndërkohë që pas shumë kërkimesh turisti i zhdukur u gjet i pajetë.
Pas kësaj ngjarje, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile më anë të një njoftimi kërkoi nga turistët që kalojnë në shtigjet malore të tregojnë kujdes të shtuar.
Njoftimi:
Pas marrjes së njoftimit, të gjitha strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar menjëherë.
Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura është ngritur në ajër, duke marrë me vete ekipin mjekësor dhe ekipin e kërkim-shpëtimi malor. Kërkimet filluan nga ajri për të zbuluar ndonjë shenjë të personit të humbur. Në të njëjtën kohë, ekipi i kërkimit- shpëtimit malor u la në afërsi të vendit për të vazhduar kërkimet nga toka.
Përpjekjet intensive dhe koordinimi i i strukturave vazhduan për disa orë, derisa u arrit që të gjendet trupi i pajetë i personit në nevojë.
Kujdes! Në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe ne shumë raste të pashkeluar, është e rëndësishme që turistët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga guidat e specializuara. Siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga respektimi i këtyre udhëzimeve dhe informacioneve të rëndësishme për këto aktivitete sportive.