Pritej një transfertë e vështirë në “Olimpiko” për Bajer Leverkusenin, por skuadra e Ksavi Alonsos e trajtoi Romën si një ekip mesatar.
Dominim në lojë gola dhe raste. Virc dhe Anriç me golat e tyre i dhanë ‘aspirinave” një fitore të çmuar duke hedhur një hap të madh drejt finales së Dublinit.
Protagonist për gjermanët si gjithnjë ishte dhe Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar tashmë është shndërruar në liderin e qendrës së mesfushës dhe ndaj romanëve ishte sërish një mur i vërtetë.
Xhaka foli për RAI-n pas sfidës duke theksuar se finalja e Evropa Ligës është shumë afër, por ekipi nuk duhet të nënvlerësojë Romën në përballjen e kthimit.
“E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, por ne luajtëm mirë. Është për të ardhur keq që nuk shënuam më shumë gola.
Kemi bërë një hap të rëndësishëm, por e dimë forcën e Romës prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Finalja është afër, por e dimë që nuk ka mbaruar asgjë akoma.”- tha Xhaka.