Aeroporti i Berlinit u mbyll mëngjesin e sotëm për shkak të akullit të krijuar nga i ftohti ekstrem që ka përfshirë Gjermaninë. Sipas CNNgr, asnjë aeroplan nuk mund të ngrihet apo të ulet për shkak të akullit të zi dhe shiut të ngrirë që vazhdon.
“Për shkak të akullit të zi dhe shiut të ngrirë që vazhdon, aktualisht nuk është e mundur të ngrihet ose të ulet në Aeroportin e Berlinit”, shpjegoi zëdhënësja e aeroportit.
Ajo bëri të ditur se ekipet tokësore punuan gjatë natës për të shkrirë akullin në pistë dhe në zona të tjera operative, por pa sukses, pasi sipërfaqet mbeten jashtëzakonisht të rrëshqitshme. Ende nuk dihet se kur do të rifillojnë fluturimet, të cilat janë pezulluar që nga mbrëmja e djeshme për shkak të akullit.

