Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shfaq sot i vendosur për datën 31 tetor si afati i fundit kur serbët e Kosovës duhet të kovertojnë targat e tyre të vjetra në ato RKS. Kjo deklaratë e kreut të ekzekutivit të Kosovës vjen pas kërkesës së të Dërguarit të Posaçëm të Shba-ve, Gabriel Eskobar që afati për konvertimin e targave të shtyhej sërish me dhjetë muaj. “Qytetarët e Kosovës të përkatësisë etnike serbe duhet të konvertojne targat brenda afatit kohor që është 31 tetori. Ne nuk duam të befasojmë partnerët tanë, por duam të befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë sipas përkatësive etnike. Këto nuk janë masa kundër serbëve. Përkundrazi, janë masa për serbët. Serbët e Kosovës duhet të konvertojnë target e vjetra në ato RKS dhe kësisoj do të jemi të gjithë të barabartë” – tha Kurti para mediave në Kosovë.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës shtoi se nuk ka vend për panik, pasi qëllimi i kësaj fushate është vetëm zbatimi i ligjit dhe se qeveria e drejtuar prej tij mbetet gjithnjë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë. “Jemi të kujdesshëm të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj kur aleatët na japin këshilla dhe sugjerime, ne i dëgjojmë ato dhe i analizojmë me kujdes.” – theksoi Kurti.
Reagimi i Vuçiq; Na presin dite të vështira
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq reagoi menjëherë pas këtyre deklaratave të Kurtit duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës si refuzues të propozimeve të aleatëve ndërkombëtarë të cilët kërkuan një tjetër shtyrje prej dhjetë muajsh për konvertimin e targave. “Kurti e refuzoi propozimin e Kuint-it që kërkoi shtyrje të procesit për targat. Ditë të vështira do të vijnë. Ne jemi përkrah serbëve në Kosovë të cilët kanë treguar se nuk duan të dëgjojnë Kurtin, por vetëm ndërgjegjen e tyre.” – i tha Vuçiq të përditshmes serbe ‘Novosti’.