Arlind Qori mori 13.835 vota në garën për Bashkinë e Tiranës duke u renditur i treti pas Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit.
Në një konferëncë shtypi pas shpalljes së rezultatit, Qori falenderoi votuesit e tij për mbështetjen. Ai theksoi se nuk do t’i tradhëtojë asnjëherë ata që i besuan.
Pedagogu Qori që drejton Lëvizjen Bashkë e ka konfirmuar se subjekti i tij politik do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 duke qenë i bindur se do të arrijnë ta çojnë zërin e qytetarëve në kuvend.
“Në këtë zymtësi kaq të madhe mendoj se ka një rreze shprese dhe ata janë të gjithë votuesit tanë që jo vetëm na kanë votuar por na kanë besuar. Të kisha mundësi do u puthja duart, jo thjesht se më votuan por me votën e tyre në një situatë dëshpërimi, këta qytetarë kanë guxuar e kanë pasur shpresë jo vetëm në ditën e votimit por gjithnjë. Dua të përulem para atyre. Pafundësisht kam ripërsëritur mesazhin “Mos na tradhtoni” dhe unë po ju them sot se ne nuk do ju tradhtojmë.
Më parë hidhemi në zjarr sesa të tradhtojmë një akt kaq të madh qytetarie. Dua të falënderoj po aq fort aktivistë të “Lëvizjes Bashkë” që bashkë me mua kemi trokitur në dhjetëra mijëra dyer. Ne ja kemi dalë të mbrojmë të gjithë votuesit tanë dhe kemi punuar për secilën votë. Shoqet dhe shokët e mi të lëvizjes nuk kanë fjetur asnjë minutë, janë akoma duke ndjekur procesin e këshillit bashkiak. Ne në këtë fushatë kemi pasur mbështetjen e shumë qytetarëve, ne na kanë dhuruar edhe para që shkuan për biçikletat tona, fletushka dhe për bileta autobusësh. Dua të falenderoj mbështetësit tanë nga Kosova. Ata kanë parë një rreze shprese në Shqipëri. Tirana dhe Shqipëria po gdhihen të zymta, me një pushtet i cili është më i fuqishëm se kurrë, asnjë parti nuk ka qenë kaq e pushtetshme sa PS dhe asnjë parti nuk ka qenë ndonjëherë më e korruptuar se kaq sa Rama dhe Veliaj. Fakti që Veliaj është në krye të bashkisë është lajm i keq për aq kohë sa ka më shumë kulla dhe më pak parqe. Lëvizja Bashkë nuk është më vetë, është shprehja e materializimi i atyre qytetarëve që na votuan sot e më shumë që do na bashkohen nesër. U bëj thirrje të na bashkohen që të mbrojmë aq pak demokraci sa kemi. Ne çdo ditë do jemi aktivistë, do të përpiqemi se për ne politika nuk është elektoralizëm, pikëmbërritja jonë janë zgjedhjet jo pikënisja.”- tha Qori.