“San Siro” e priti me kore të zjarrta benjaminin e tij, ndërkohë që Zllatan Ibrahimoviç u shfaq mjaft i emocionuar në fjalimin e lamtumirës para tifozëve kuqezinj.
Sulmuesi deklaroi tërheqjen përfundimtare nga futbolli i luajtur duke theksuar se ai do të jetë përjetë një tifoz i Milanit që i dha gjithçka në karrierë.
“Nuk mund të marr frymë, por s’ka gjë. Kaq shumë kujtime dhe kaq shumë emocione këtu. Herën e parë që erdha në Milano më dhatë lumturi, herën e dytë më dhatë dashuri.
Dua të falenderoj familjen time që më qëndroi pranë dhe erdhi me mua në këtë aventurë. Dua të falenderoj familjen time të dytë, lojtarët dhe shokët e ekipit.
Dua të falenderoj trajnerin, por edhe drejtuesit që më dhanë këtë mundësi.
E fundit, me zemrën time, dua t’iu falenderoj ju tifozëve. Më pritët me krahët hapur dhe më bëtë te ndihem si në shtëpi.
DO TE JEM MILANIST PERJETË!
Ka ardhur momenti t’i them mirupafshim futbollit, jo ju tifozëve. Shumë shumë emocione, do te shihemi ne xhiro, nëse jemi me fat.
FORZA MILAN DHE MIRUPAFSHIM.”, ishin fjalët e Ibrës drejtuar tifozëve në stadium.
Ibrahimoviç shënoi 93 gola në 163 ndeshje me Milanin ku arriti të fitonte dy tituj kampionë në Seria A dhe një Superkupë të Italisë.