Nga Agim.Morina

PYETJE: Është e njohur se synimi shekullor i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet bashkimi. Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për ta bindur Evropën dhe botën që njëherë e përgjithmonë të realizohet bashkimi i tyre në kuadër të Evropës dhe a mendoni se çështja e Evropës do të zgjidhet edhe po mbeti i pazgjidhur problemi i shqiptarëve?

Ibrahim RUGOVA: Pyetje me vend: Është shumë normale dhe e natyrshme që shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë, të jenë të bashkuar, të jetojnë në një shtet, në një bashkësi politike. Sidomos është normale për ne shqiptarët që jemi të ndarë në dysh, kur gjysma e popullsisë është këndej e gjysma andej. Kam thënë edhe më herët se ky është një proces për të cilin duhet të punojmë. A do të realizohet shpejt apo ngadalë, do të jemi gjallë. Shqiptarët, si qëllim e kanë pasur dhe do ta kenë bashkimin, sado që në kohën e dominimit komunist u shrregullua kjo ide, ndërsa tash e tutje ajo do të jetë si ide udhëheqëse e shqiptarëve. Por, në këtë plan duhet të punohet me mençuri. Bashkimi me forcë, me dhunë, vështirë tolerohet sot nga Evropa. Por, tash për tash, të mendojmë dhe ta bëjmë integrimin shqiptar dhe integrimin në kuadër të Evropës. Njëherë për njëherë, duhet të njihemi, të shihemi, e pastaj t’i realizojmë kërkesat tona, edhe pse na është thënë se ne të dy anët e kufirit kemi edhe pikëpamje të kundërta ideologjike. Por, këto ishin vetëm shpifje e gënjeshtra që iu doli boja, sepse nuk është e mundur që një popull të ketë dy ideologji. Me një fjalë, shqiptarët duhet të bëjnë përpjekje që të ndjehen të lirë në të gjitha hapësirat shqiptare, duhet të punojnë vazhdimisht për zgjidhjen e tyre kombëtare. Kjo do të jetë e realizueshme, por duhet të jemi modest: të punojmë vazhdimisht, hap pas hapi që t’i realizojmë qëllimet tona. Të bëhet një bashkim konkret, e jo me fraza të thata. Sot për sot është aktuale ideja e integrimit evropian. Nga ky integrim më lehtë do ta arrijmë këtë që e synojmë. Të punojmë në këtë drejtim pa shpallje e deklarata. Çështja e bashkimit duhet të jetë temë e shkencës. Shkenca vazhdimisht le ta elaborojë këtë në mënyrë që politikës t’i krijohet mundësi më e madhe. Të ndahen disa gjëra dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën, sepse, ne, për fat të keq, këtë çështje nuk e kemi pasur as temë të shkencës, bile mund të thuhet as andej e as këndej. As akademitë, as institutet e as universitetet nuk e kanë trajtuar në masë të duhur këtë çështje. Prandaj, ky është problem shumë i madh dhe mirë që është shfaqur dhe po flitet rreth kësaj ideje. Natyrisht, në politikë mund të përdoret edhe si presion i manovrave më të gjera rreth realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Eshtë e njohur se në politikë nisen gjëra të vogla e përfundojnë të mëdha dhe është mjeshtri që gjërat e vogla t’i bësh të mëdha. Ne do të punojmë në këtë plan dhe është mirë që ideja për bashkim ka lindur nga mbarë kombi, prandaj edhe në kontaktet me përfaqësuesit e Evropës bisedohet edhe për këtë çështje.

(Revista “Ora”, nr. 1, 23 maj 1991, Prishtinë.)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *