Leticia Jacobo, 24 vjeçe, një grua indigjene amerikane, rrezikoi të deportohej për shkak të një gabimi nga Shërbimi i Imigracionit dhe Zbatimit të Ligjit (ICE).
Pritej që Jacobo të lirohej nga burgu i Qarkut Polk pasi kishte përfunduar një dënim të shkurtër për drejtim mjeti me patentë të pezulluar. Por kur nëna e saj shkoi ta merrte, zyrtarët i thanë se lirimi ishte shtyrë sepse Jacobo po i dorëzohej ICE-s për procedura deportimi.
Familja e saj dhe përfaqësues nga komuniteti indigjen i saj reaguan menjëherë, duke dorëzuar certifikatën e lindjes dhe dokumentet e identitetit fisnor. Pas disa orësh vonese dhe pasigurie, Jacobo u la e lirë.
Megjithatë, ky nuk është një rast i izoluar. Në janar, përfaqësues të Kombit Navajo raportuan se të paktën një grup personash indigjenë në Arizona dhe New Mexico ishin ndaluar ose marrë në pyetje nga ICE.
Në rastin e Jacobos, autoritetet lëshuan një urdhër që i lejon mbajtjen në izolim të të ndaluarve për 48 orë të tjera pa paraqitur prova të mjaftueshme për shkelje të ligjit të imigracionit.
Rasti i Leticia Jacobos ka rikthyer një debat të hershëm në Shtetet e Bashkuara: Si është e mundur që popullsia indigjene, të parët e kontinentit, të trajtohen ende si “të huaj” në tokën e tyre?

