Zbulohen detaje të reja lidhur me atentatin mafioz të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë agjenti i AMP-së, Mustafa Sheqeri (Sheqeri).
Gazetari Igli Çelmeta bëri të ditur se, sipas burimeve nga grupi hetimor, është identifikuar personi që dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit dhe informatorit brenda aeroportit. Ky person dyshohet të ketë monitoruar lëvizjet e Danit dhe Sheqerit përpara atentatit, dhe sipas burimeve, shumë shpejt mund të shpallet në kërkim.
Sipas informacioneve të publikura, i dyshuari ka qëndruar në ambientet e aeroportit të Rinasit rreth një orë para ekzekutimit, fillimisht i maskuar me kapele dhe syze, për të mos u identifikuar. Ai raportohet se ka vëzhguar në distancë lëvizjet e Danit sapo ky mbërriti nga Barcelona, si dhe të Sheqerit që e priste.
Ndërkohë, hetimet kanë konfirmuar se gjatë atentatit janë përdorur dy automjete. Një automjet tip Toyota, e cila më pas u gjet e djegur në fshatin Halil të Krujës, dyshohet se është përdorur nga ekzekutorët për t’u larguar, ndërsa automjeti i vëzhguesit ishte parkuar në afërsi të aeroportit dhe ai është larguar menjëherë pasi atentati u krye.
Burimet hetimore dyshojnë se informatori mund të ketë pasur të dhëna për lëvizjet e Danit që në nisje nga Barcelona, çka shton dyshimet për koordinim të përpiktë mes tij dhe grupit të autorëve.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e motiveve të ekzekutimit, ndërsa pista kryesore lidhet me përplasjet midis grupeve kriminale.

