Ish-sulmuesi i Kombëtares dhe kandidat për të marrë rolin e drejtorit sportiv te Milani tha se të besuarit e Silvinjos i kanë jetike pikët në ndeshjet me Serbinë në fushatën kualifikuese për Botërorin e vitit 2026.

Tare tha për “Tring” se Anglia do të jetë dominuese në grup, ndërsa Shqipëria dhe Serbia do të luajnë shanset e tyre për një vend të dytë, çka siguron pjesëmarrjen në play-off.

“Mundësitë nuk janë të mëdha. Duhet të jemi realistë për vetë faktin se Anglia do të jetë dominuesja e këtij grupi. Me Serbinë do të jetë ajo ndeshja më e rëndësishme për të luftuar për vendin e dytë. Duhet të fokusohemi te këto gjëra. Më la pak një shije të keqe mënyra e prezantimit të ndeshjes me Anglinë, sepse ne kemi një trajner që ka një eksperiencë të madhe në botën e futbollit dhe është fitues. Kështu që, çfarë ka nevojë kjo skuadër, për mendimin tim, është një lloj mentaliteti fitues dhe, sidomos në këto ndeshje të mëdha, ne nuk kemi çfarë të humbasim, por vetëm të fitojmë. Do të më pëlqente ta shihja skuadrën me një profil tjetër, nga mënyra e formacionit, por edhe nga mënyra e lojtarëve që kanë personalitet dhe mundësi teknike më të larta se dikush tjetër, apo formë fizike më të mirë se një lojtar tjetër. Në këtë moment, ndeshja me Serbinë në fillim të qershorit do të jetë vendimtare, sepse do t’i jepte një drejtim skuadrës sonë,” – u shpreh Tare.

By Editor