Kandidati i Partisë Demokratike ka kërkuar rinumërim të votave në Qarkun e Tiranës, pasi sipas tij ka pasur parregullsi në proces.
Ilir Alimehmeti, në kërkesën e tij, thekson se 6% e fletëve të numëruara nuk janë pasqyruar në mënyrë të duhur në rezultatin përfundimtar.
Kërkesa e Alimehmetit:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18.128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur. Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve, sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që, referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.
Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë, “PD-ASHM”, ka marrë 164.316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmetin i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota.
Qendrat e votimit të mësipërme krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha qendrave të votimit.
Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:
Kërkoj:
Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha qendrave të votimit të Qarkut Tiranë; Ndryshimin e tabelës përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.