Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin Top Story, ngriti shqetësime të forta mbi mënyrën se si drejtohet Partia Demokratike, duke theksuar se partia po humb terren përballë një qeverie që – sipas tij – prej kohësh duhej të ishte sfiduar me më shum sukses nga ana e opozitës. Alimehmeti nënvizoi se ekziston një shkëputje e madhe mes bazës demokrate dhe kupolës drejtuese të PD-së.

Gjatë intervistës, ai foli edhe për takimin e zhvilluar më herët gjatë ditës me Ervin Salianjin dhe disa prej kandidatëve për deputet që rezultojnë ndër më të votuarit nga baza e partisë. Sipas tij, kryesia aktuale e PD përbëhet kryesisht nga individë që nuk janë të votuar nga anëtarësia, gjë që, sipas mjekut, e bën të domosdoshme një reformim të thellë të partisë.

Alimehmeti theksoi se PD ka nevojë urgjente për ndryshime drastike “nga koka te këmbët”, duke lënë të kuptohet se vetëm një ristrukturim i plotë mund t’i rikthejë demokratët në garën reale për pushtet.

Ndërkohë është mësuar se kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ka reaguar me ironi ndaj takimit mes Alimehmetit, Salianjit dhe figurave të tjera të votuara gjerësisht nga rrethet, duke e cilësuar atë thjesht si “një kafe mes tyre”.

Pas këtij reagimi, Alimehmeti i është përgjigjur në mënyrë indirekte nga studio e Top Story, duke thënë me ironi se nuk komenton statuse në Facebook.

“E them sinqerisht, statuseve në FB nuk u komentoj. Po të donte, Këshilli Kombëtar na thërriste dhe do shkonim. Mundësia për të folur nuk ka qenë. Lënia jashtë diskutimeve e demokratëve na ka sjellë në këtë situatë: një qeveri e konsumuar që nuk rrëzohet dot dhe një opozitë që nuk arrin të mobilizojë njerëzit. Pse u detyruam të mblidhnim këtë tryezë? Këtë pyetje le t’ua lëmë atyre që kanë larguar njerëzit. Ne thjesht vazhdojmë punën për të kuptuar ku jemi dhe cilat janë problemet”, u shpreh ai.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *