Kishte kohë që përflitej, por sot gjithçka u bë zyrtare. Ilir Alimehmeti do të kandidojë në garën e primareve të Partisë Demolratike me synimin për t’u mandatuar nga anëtarësia e kësaj partie si kandidatura zyrtare për drejtimin e bashkisë së Tiranës. Alimehmeti shpalli sot platformën e tij paraprake për drejtimin e Tiranës, duke u shprehur me terma mjekësore se kryeqyteti është i sëmurë dhe se ai duhet shëruar. “Vij sot këtu para jush për t’iu dedikuar Tiranës dhe komunitetit. Tirana jonë është e sëmurë, i ka të gjitha mundësitë të shërohet.”- tha Alimehmeti.
Mjeku i njohur bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 12 nëntorit të organizuar nga opozita dhe ftoi anëtarësinë e Partisë Demokratike të marrë pjesë në primaret e këtij subjekti. “Thirrje të fortë për pjesëmarrje masive në protestën e 12 nëntorit për të filluar çrrënjosjen e së keqes që ka pllakosur çdo prag. Ju ftoj të merrni pjesë masivisht në protestë dhe të votoni në primare.
Ju ftoj ta shërojmë bashkërisht Tiranën. Tirana është e jona.”-shtoi ai.
Ilir Alimehmeti është kandidatura e tretë e primareve të Partisë Demokratike bashkë me Belind Këlliçin dhe Gerti Bogdanin.