Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ndodhet në burg për çështjen e koncesionit të sterilizimit dhe dyshime për abuzime me fondet e SASPAC, ka marrë pjesë këtë të martë në seancën gjyqësore në GJKKO.

Gjatë deklarimeve para trupit gjykues, Beqja tha se kallëzimi penal për dosjen e “Sterilizimit” është bërë nga Endri Shabani, i cili aktualisht mban postin e Avokatit të Popullit. Ai u shpreh i zhgënjyer nga Partia Socialiste, duke kujtuar se zgjedhja e Shabanit në këtë detyrë u shoqërua me vota unanime dhe duartrokitje entuziaste nga maxhoranca.

Sipas Beqajt, ajo që e habiti më shumë nuk ishte vetë votimi, por sjellja demonstrative e deputetëve gjatë seancës parlamentare, përfshirë edhe gjestet simbolike ndaj opozitës që protestonte. Ai theksoi se Avokati i Popullit, i cili sipas tij është iniciuesi i procesit penal, është ndër dëshmitarët kryesorë të akuzës dhe ka bërë deklarata publike kundër tij.

Beqja u ndal edhe te kërkesa e tij drejtuar gjykatës për t’u pajisur me kompjuter dhe printer në ambientet e paraburgimit, duke argumentuar se ligji nuk e ndalon një gjë të tillë dhe se këto mjete janë të domosdoshme për përgatitjen e mbrojtjes. Ai theksoi se ndalimi i tyre përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Në fjalën e tij, ish-ministri ngriti shqetësime edhe për rolin institucional të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar paradoksale që një figurë që duhet të mbrojë të drejtat e njeriut të jetë pjesë aktive e mekanizmit të akuzës. 

Sipas Beqajt, kjo situatë dëmton standardet demokratike dhe cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.

Deklarimet e tij u ndërprenë nga trupa gjykuese, me arsyetimin se një pjesë e tyre nuk lidhej drejtpërdrejt me objektin e seancës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *