Ballkani pret sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” çekët e Sllavias së Pragës në një përballje jetike për synimin e kualifikimit nga faza e grupeve të Ligës së Konferencës. Në konferencën e shtypit tekniku i Ballkanit, Ilir Daja, u shpreh se forma e ekipit momentalisht nuk është më e mira, prandaj atyre u duhet forca e karakterit dhe mbi të gjitha përkrahja e tifozëve në një moment të tillë. Daja e Konsideron Sllavian si ekipin më të fortë të grupit, por thekson se në futboll gjithçka është e mundur. “Aktualisht nuk jemi në formën tonë më të mirë, kjo është e qartë. Është një përballje e vështirë pasi Sllavia është ekipi më i fortë i grupit, prandaj në këtë situatë na nevojitet mbështetja e publikut tonë. Atmosafera në stadium do të jetë shumë e rëndëishme për t’u dhënë kurajo lojtarëve të cilët do të synojnë një tjetër mrekulli. Në momentet kur loja jonë mund të mos jetë e duhura, tifozët duhet të jenë aty për të na përkrahur. Kjo është me shumë rëndësi për ne.” – tha Daja.
Përkrahje nga tifozët kërkoi dhe mbrojtësi Arbër Potoku. “Ata (Sllavia) janë ekipi më i fortë i grupit pasi dihet çfarë historie dhe organizmi kanë si klub. Ne synojmë të japim më të mirën tonë dhe për këtë synim na nevojitet shumë dhe përkrahja e tifozëve tanë.” – theksoi Potoku.