Analisti Ilir Kulla vlerëson se kryeministri Edi Rama ndodhet aktualisht përballë vendimeve më të vështira politike që nga ardhja e tij në pushtet. Duke folur në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Kulla tha se reforma në drejtësi ka krijuar një realitet të ri politik në Shqipëri, duke ndryshuar balancat tradicionale të pushtetit.

I pyetur nëse pret që Rama të mbetet kryeministër deri në fund të vitit, Kulla u shpreh se situatat e jashtëzakonshme prodhojnë zgjidhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, Rama përballet me disa skenarë kritikë: arritjen e një marrëveshjeje të madhe politike me Sali Berishën për ndryshime kushtetuese që do të kufizonin fuqinë e drejtësisë speciale, ose një përballje të drejtpërdrejtë me drejtësinë, ku hetimet mund të shtrihen edhe te rrethi i tij më i afërt qeveritar.

Një tjetër mundësi, sipas Surroit, është kërkimi i një legjitimiteti të ri përmes zgjedhjeve. Megjithatë, Kulla theksoi se, me rregullat aktuale politike dhe zgjedhore, ky skenar është tepër i vështirë për t’u realizuar, përveçse nëse ndryshohen vetë rregullat e lojës.

Kulla vuri në dukje se sfida më e rëndë për kryeministrin mbetet lufta kundër asaj që ai e cilësoi si “kartelet e drogës”. Kulla nënvizoi se një vendim i tillë kërkon rikonfigurim të plotë të institucioneve të sigurisë, përfshirë shërbimet informative, policinë dhe doktrinën kombëtare të sigurisë, si dhe një përballje të hapur me klanet kriminale.

Sipas tij, një ndërhyrje e tillë do të kishte kosto për ekonominë, por do t’i siguronte Ramës një vend në histori si udhëheqësi që e orientoi Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, Kulla kritikoi mungesën e vendimmarrjes, duke theksuar se që nga nisja e goditjeve të drejtësisë në fillim të vitit 2025, vendimi kryesor i kryeministrit ka qenë të mos marrë vendime.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe një episod simbolik, ku ndërsa drejtuesit politikë ndodheshin në ceremoni zyrtare, diplomatët e huaj ishin mbledhur pranë institucioneve të drejtësisë për të diskutuar drejtimin e sistemit të drejtësisë në vitet në vijim.

Në përfundim, Kulla tha se Edi Rama ka përvojën dhe njohuritë për të marrë vendime të mëdha dhe për të dalë nga kriza politike, por mbetet e paqartë nëse ai ka edhe kapacitetet për t’i përballuar sfidat që e presin.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *