Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pritet të pyetet sot nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 Janarit. Vetë Meta i është drejtuar SPAK-ut me një kërkesë zyrtare për t’u thirrur dhe për të dhënë shpjegime, duke theksuar se, për shkak të funksioneve shtetërore që ka mbajtur ndër vite, disponon informacione që mund të ndihmojnë procesin hetimor.
Ngjarja e 21 Janarit lidhet me protestën e zhvilluar më 21 janar 2011, të organizuar nga Partia Socialiste, atëherë në opozitë, gjatë së cilës u vranë nga Garda e Republikës katër protestues: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, deklaroi se opozita po tentonte një “grusht shteti” për rrëzimin e qeverisë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm.
Në hetimet e zhvilluara për këto ngjarje, të pandehur u morën ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe gardisti Agim Llupo. Gjykata vlerësoi se vrasjet kishin ndodhur nga pakujdesia, duke dënuar Prendin me 1 vit burg dhe Llupën me 3 vite burg.

