Produktet serbe kanë humbur primatin në tregun e Kosovës gjatë vitit të shkuar por edhe në fillim të këtij viti. Derisa në vitin 2022, Serbia ishte partnerja kryesore tregtare nga vendet e CEFTA-s, masat e sigurisë të vendosur nga Qeveria në qershor të 2023-s, e kanë zëvendësuar atë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.
Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka thënë se vetëm vitin e kaluar importet nga Serbia kanë rënë për 47 për qind.
“Nga 372 milionë euro importe nga ky vend (Serbia) në vitin 2022, gjatë vitit 2023 ato kanë rënë në 198 milionë euro apo për -47 për qind. Tek partnerët tjerë kryesorë fqinjë, vërehet një rritje e ndjeshme e importeve nga Shqipëria me +28 për qind krahasuar me vitin 2022, si dhe nga Maqedonia e Veriut me +10 për qind”, ka thënë Hasaj.
Rritje të importeve, Hasaj ka thënë se ka pasur edhe nga Gjermania, Kina dhe India. Ai këtë e ndërlidh me importin e produkteve të naftës.
Bazuar në të dhënat e Doganës, rënie të importit nga Serbia ka pasur edhe në fillim të këtij viti. Për dy muaj janë importuar mallra në vlerë 13 milionë euro.
, ka thënë se bizneset vendëse kanë vazhduar të importojnë produkte nga brendët e njëjtë, por që kanë përfaqësi në shtete tjera në rajon.
“Dihet se shumë kompani që prodhojnë në Serbi i kanë riorientuar partnerët e tyre prej Kosovës që t’i blejnë mallrat nga kompanitë që i kanë simotra në Maqedoni, siç është CocaCola, e cila më herët është importuar nga Serbia, ndërsa tani është riorientuar në Shkup që është pronari i njëjtë e kanë orientuar të importohet nga Maqedonia shkaku i masës nga Qeveria”, ka thënë ai.
Rafuna ka theksuar se me gjithë ndërrimin e vendeve partnere nuk ka pasur rritje të çmimeve për konsumatorët.
“Prej informatave që kemi si Odë disa prej partnerëve e kanë marrë përsipër që të mbulojnë vet koston e transportit, pasi dihet që një prej arsyeve që ne kemi bërë me Serbinë ka qenë për shkak të afërsisë që e kemi, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë se shumica e kompanive që janë në Serbi vinë nga Gjermania, prin me kompani prodhuese, pastaj vijnë Italianët, kompanitë amerikane, kështu shumica absolute janë kompanitë e huaja që prodhojnë dhe eksportojnë nga Serbia në Kosovë”, ka deklaruar Rafuna.
Viteve të fundit Kosova ka pasur rritje të importeve nga Shqipëria. Sipas të dhënave të Doganës, më 2022 janë importuar mallra në vlerë 255 milionë euro, ndërsa vjet janë importuar rreth 326 milionë euro.
Që bashkëpunimi tregtarë mes këtyre dy shteteve të rritet, Oda Ekonomike ka rekomanduar edhe kalimin në një sistem unik të tatimit të vlerës së shtuar.
“Me Shqipërinë na nevojitet që të ndërmarrim masa që dy Qeveritë tona të kalojnë në një nivel tjetër të bashkëpunimit, për t’i eliminuar disa barriera administrative dhe joadministrative që po ndikojnë në kosto të biznesit dhe në kohë të transportimit të mallrave. Kështu që rekomandimi ynë është që ne të kalojmë në sistem unik të tatimit të vlerës së shtuar, ku nëpërmjet një fature të vetme të tatimit të vlerës së shtuar malli të qarkullojë nga Saranda në Prishtinë, ose prej Korçës në Pejë”, ka thënë Rafuna.
Ai ka shtuar se kjo do t’i ndihmonte marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe do të ndikonte në uljen e kostos së të bërit biznes mes tyre. E, sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2023 ka pasur rritje të importit edhe nga India, për 529 për qind.
Nga 46 milionë euro sa ishte vlera e mallrave të importuara në 2022, vitin e kaluar kjo vlerë është rritur në mbi 292 milionë euro.
Edhe nga Gjermania ka pasur rritje të importit për 23 për qind, apo 140 milionë euro më shumë, si dhe nga Kina për 19 për qind, në atë që nënkupton se në tregun kosovarë hynë mallra kineze në vlerë 102 milionë euro më shumë./Rruga Press